Ky ishte vlerësimi që i kemi bërë Kumbullës pas Çekisë. Për të kuptuar më qartë se ku donim të dilnim, ishte performanca e Ajetit sot.
Kumbulla (4.5): “Një akademik i shkëlqyer, por në Kombëtare, nuk mjafton vetëm kaq, nuk mjafton vetëm të jesh një ekselent i teorisë, por duhet të shkëlqesh edhe në praktikë. Marash Kumbulla është pikërisht rasti në fjalë, merr notën 10 në teori dhe merr notën 4 në praktikë.
Nëse sheh statistikat, janë 6 heqje topi, 4/8 duele ajrore të fituara prej tij, por këto shifra nuk tregojnë asgjë. Kumbulla është një mbrojtës cilësor, që çalon shumë te Shqipëria. Arsyeja? E thjeshtë! Kumbulla ka profilin e një lojtar të qetë, të ftohtë dhe aspak agresiv.
Nëse Marashin e kalon, e sigurt është që nuk të kthehet për herë të dytë me dëshirën e madhe të hakmarrjes për të rimarrë topin dhe duelin.
Nëse Ismajlin e kalon, e sigurt është që Ardiani do të hidhet me sparkatë nga mbrapa shpine.
Nëse Gjimshitin e kalon, e sigurt është që Berati do të jap gjithçka që ia lejon fiziku për ta rikuperuar atë duel të humbur që mund të kushtojë shumë.
Ndërsa ky nuk është rasti i Kumbullës, për të një duel i humbur është vetëm statistikë, që në fund nuk do t’i rëndojë mes shumë të fituarëve, por që Shqipërisë i kushton rezultatin.
Kështu Marashi tregohet edhe njëherë tjetër një akademik i shkëlqyer, për të kryer detyrat normale dhe për t’u mos fajësuar nga tifozët, por nëse i futesh detajeve, e kupton që është tërësisht larg profilit të një mbrojtësi titullar të Shqipërisë që të jep garanci, është shumë larg”.