“Me gjak unë jam shqiptare, me shtetësi jam indiane, me besim, jam murgeshë katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës.
Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht zemrës së Jezu Kristit.” Këto janë fjalët që tha Nënë Tereza kur iu akordua çmimi Nobel për Paqen në 1979, duke mos e mohuar deri në fund të jetës prejardhjen shqiptare.
Në nderim të jetës dhe veprës së misionares së heshtur dhe të pareshtur, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 5 shtatorin, si Ditën Botërore të Bamirësisë.
“Unë bëj bamirësi sidomos fukarenjve, lypsarëve iu jap lekë. Ato që kemi I ndajmë përgjysmë, kështu thotë Zoti. Bamirësi bëj gjatë muajit të Ramazanit, festave të Bajramit, por edhe gjatë ditëve të zakonshme jap.
Sa herë marr rrogën fal, pasi shtohet më shumë leku, më jep Zoti më shumë. Paga ime mujore si punëtore e pastrimit të qytetit është 400 mijë lekë të vjetra. Unë mendoj se fukarenjtë janë më zemërgjerë dhe bëjnë më shumë bamirësi, se ja dinë hallin fukarait.
Edhe vajzën time e kam mësuar të bëjë bamirësi, e kam mësuar me edukatë, me rregull, me fe. Siç jam vetë kam edhe vajzën. Kam dëshirë shumë të bëj bamirësi dhe në mendje kam plot raste, por nuk arrij dot, se ne jemi 2 pensionistë që na ndihmojnë fëmijët.
Unë marr 130 mijë lekë, ndërsa gruaja merr 120 mijë lekë. Nuk mbijetojmë dot për vete. Bamirësi të vogla kam bërë, por jo ndonjë gjë të madhe, të mos mburrem kot. Bamirësia nuk tregohet. Profeti Muhamed thotë që kur dora e djathtë jep sadaka, e majta s’duhet ta dijë.
Edhe fëmijët i edukojmë përditë që të mësohen t’i ndajnë gjërat që kanë, lodrat, librat, ushqimet, veshjet. Nuk duam të rrisim fëmijë egoistë. Nuk është puna të grumbullosh, pasi nuk do marrim gjë me vete, por duke shpërndarë, më shumë pasurohesh. Zoti thotë që bëni bamirësi, që t’u shtohet pasuria.”- shprehen qytetarët.