Librazhdi nderoi dhe përkujtoi në 5 vjetorin e ndarjes nga Jeta mjeshtrin e valles, koreografin Sadi Halili. Shtëpia e Kulturës, vendi ku Sadi Halili ushtroi veprimtarinë do të mbajë emrin e tij.
Me shumë emocion Sherif Merdani përcolli kujtimet e tij me Sadi Halilin. “Ne dëgjuam disa konsiderata për Sadiun. Unë fola për Sadiun për vlerat e tij artistike por më shumë për vlerat e tij njerëzore. Në art ndahen dy nga ata që i lindin zoti artistë dhe ata që shkollohen dhe bëhen me zor artistë. Sadiu ishte njeri mbi të gjitha. Më kanë pritur pas burgut kur kam ardhur këtu. Një njeri kaq i mirë kaq humanitar sa Sadiu vështirë se gjen”.
Sherif Merdani ka kaluar disa vite të jetës së tij para dhe pas burgut. Madje një ndër shprehjet që u përdor kundër tij ishte thënë gjatë një mbrëmjeje gjimnazi në Librazhd. “Ishte fakt që lidhej me një mbrëmje me gjimnazistët në Librazhd, ku unë fola dhe vlerësova festivalin e 11–të të këngës në RTSH. Bëra atë që e bënë të gjithë, pse e tillë ishte klima edhe në Tiranë, përpara se të fliste diktatori. Fola për muzikën e mrekullueshme, organizimin e një festivali të vërtetë, për muzikën që ishte e nivelit europian dhe koha e tregoi, pasi ato këngë këndohen edhe nga të rinjtë e sotëm”.
Merdani tregon se e vërteta e dënimit të tij kishte lidhje me një të deleguar në Librazhd para se të arrestohej. “Të them të vërtetën, pas viteve të burgut kam gjetur shumë arsye që çuan në dënimin tim, por konkluzioni im përfundimtar është se ish Sekretari i Parë i Partisë i rrethit të Librazhdit, Marko Xega, që ishte edhe nga Korça, është dora vetë. E ndjej të pohoj se ia kam marrë hakun, kuptohet moralisht, pasi unë nuk di të marr haqe të tjera. Sapo ky njeri i Partisë erdhi në Librazhd, ngaqë e njihte mirë familjen time në Korçë gjeti klimën e duhur për të më goditur pas festivalit, duke më bërë shembull, duke më vrarë këngën, shpirtin, ëndrrën… Pra e thënë me një fjali të vetme autori i krimit ndaj meje është Marko Xega dhe pikë”.
Në Librazhd para tij, Sherif Merdanin e vlerësonin, madje edhe Hekuran Isai e konsideronte vlerë në Librazhd. “Jam vlerësuar maksimalisht. Përpara tij ka qenë në këtë detyrë Hekuran Isai, një njeri i thjeshtë, që e donte artin, këngën. Ai nuk më ka ngacmuar kurrë, përkundrazi, më ka promovuar, më ka mbështetur. Pasi dola nga burgu, ish-sekretari i parë Zenel Hysa më ka treguar se: “Hekuran Isain e kam dëgjuar me vëshët e mi që thoshte: Unë kisha dy vlera kur kam qenë në Librazhd: Hekur nikelin dhe Sherif Merdanin”. Sapo erdhi Marko Xega, u shndërrova në kriminel. Kjo edhe për faktin se ishte egërsirë, një njeri pa kulturë, kish mbetur në nivelin e luftës, të urrejtjes së klasave i mungonte tërësisht ana njerëzore”. Sherfi Merdani vuajti mbi 16 vjet burg me dy dënime të njëpasnjëshme. “Kam lënë qelitë e burgut të Spaçit në vitin 1989 në korrik dhe kam bërë ditë më ditë 16 vjet dhe 1 muaj burg, ku iku pjesa më e bukur e jetës, rinia, ëndrrat….Megjithatë unë jam njeri që besoj shumë tek Zoti dhe ato që më mori në rini, m’i fali tani në pleqëri. Më ka falur një shëndet shembullor, një optimizëm që gjithmonë gruaja i drejtohet djalit që kemi: Mos kij parasysh asnjë figurë tjetër, vetëm babanë tënd. Shiko dhe vlerëso optimizmin e babait tënd, sa punëtor është, çfarë konceptesh ka për jetën, për fëmijët, për gjithçka dhe bëhu si ai”. Në Librazhd një familje që e priti dhe e përkrahu gjithmonë ishte ajo e Sadi Halilit.
Ceremonia për Sadi Halilin