Stavri Shkurti është një ndër aktorët më të mëdhenj shqiptarë.
Fatkeqësisht, ai u largua shumë shpejt nga kjo jetë, teksa u shua fizikisht në Greqi në vitin 1998.
Ai kishte emigruar familjarisht, me gruan dhe dy djemtë, Dionisin dhe Gjergjin, nga Korça për në Greqi pas viteve 1990-të.
“Atje në një spital në Greqi, Stavri Shkurti ‘interpretoi’ një bisedë me ëngjëjt”, kujton e shoqja e aktorit të njohur, ditët e fundit të tij.
Pengjet për nderimin e munguar ndaj burrit të saj aktor janë disa.
Por më i dhimbshëm është ai i dhunimit që iu bë artistit të mirënjohur në banesën e tij të fundit, në varrezat publike të qytetit.
“I kanë vjedhur te varri kryqin, fenerin dhe gërmat e emrit prej bronxi. I kishim punuar në Greqi dhe i grabitën se shkëlqenin si flori”, tregonte Florika Shkurti kohë më parë.
Sepse në Shqipëri, ne jo vetëm që nuk i nderojmë artistët në të gjallë, por i poshtërojmë edhe kur vdesin.
Rasti i Stavri Shkurtit është më emblematiku.