Nesër në orën 18:00 Partia Demokratike, LSI dhe partitë e tjera opozitare do të zhvillojë protestën e radhës, e cila nuk do të jetë përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit si në nëntë tubimet e tjera, por në akset kryesore që lidhin Jugun dhe Veriun e vendit me kryeqytetin.
Pikat që opozita do të bllokojë nesër pasdite me një orar të pacaktuar.
Në Elbasan, te rrethrrotullimi i Bradasheshit do të bllokohet aksi që lidh Juglindjen me Tiranën, zona e Jugut do të bllokohet në rrethrrotullimin e Sheqit të Fierit.
Protestuesit nga Veriu i vendit do të grumbullohen në Milot. Një tjetër pikë do të jetë ajo te Shkëmbi i Kavajës dhe kryesorja te sheshi ‘Shqiponja’ për të bllokuar hyrjen në Tiranë.
Ky është një skenar i përsëritur nga opozita, pasi edhe më parë ka bllokuar rrugët, ndërsa në 11 maj do të jetë protesta kombëtare para Kryeministrisë.
Vitin e kaluar, po në këto arterie kryesore të vendit opozita bllokoi rrugët disa herë si shenjë e mosbindjes civile.
Edhe tani, një vit më pas, opozita vijon që të kërkojë largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore për të përgatitur zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
PD dhe LSI kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve lokale, ndërsa nuk u regjistruan në KQZ.