Bedri Islami
Familja Basha dhe kunati, dalëngadalë, po bëhet njëra nga më të pasurat në Shqipëri. Ajo po ndërton, përmes politikës, sidomos politikës publikisht agresive, një perandori të re, e cila, si pikat e ujit, ngjan me atë që kanë ndërtuar para tij liderët tanë të politikës.
I panjohuri i madh i PD-së, që deri një javë para as që e kishte ditur derën e saj, tani, duke nxjerrë të tjerët, njëri pas tjetrit pikërisht nga ajo derë që e kishte të largët, përmes firmave të krijuara sipas përvojës së Fazlliçit, që do të thotë njëra i le tjetrës dhe e dyta do të shesë tek e treta, vetëm në dy vitet e fundit ka pasur një rrjedhje drejt saj prej afër 3.4 miliardë lekë (të rinj).
Ka një ngjashmëri fatale: sa më shumë që rritet agresiviteti i Bashës në politikë, po aq, e ndoshta edhe më tej, rritet pasuria e tij financiare, e kontrolluar nga dy njerëzit e fuqishëm të grupit, kunati dhe motra e tij, që është edhe gruaja e Bashës.
“Triumvirate” të tilla kemi dëgjuar edhe më herët. Sidoqoftë, askurrë më parë, nuk kemi pasur fillimin e një mendimi radikal politik, për t’i shërbyer familjes së tij, pasurimit marramendës, vënies nën këmbë të një lëvizje që mund të ishte ndryshe dhe nënshtrimin e opozitës një qëllimi të vetëm: krijimin e një rrjeti oligarkie politiko- financiare, para së cilës asgjë tjetër nuk është e rëndësishme.
Basha është sot shefi faktik i opozitës. Pozitat e Berishës po tkurren, jo për një shkak tjetër, por “të fortët” e tij të dikurshëm u gjendën befas jashtë lëvizjeve politike, ndërsa mitingashët e gatshëm për të bërë gjithçka, po shkëputen gradualisht, pasi Berisha, Kuliçaj apo të tjerë rreth tij, nuk janë më njerëzit që garantonin paprekshmërinë e tyre dhe nuk mund të bëjnë financimin e asnjë lëvizje mitingashësh. Dhe rregulli kyç i mitingashëve është: paguaj që të lëviz.
Oligarkët e vërtetë financiarë, apo edhe të pasurit e gati tri dekadave të fundit, meritueshëm apo përmes mashtrimit, e kanë njërën dorë shpesh herë tek “biznesmeni” politik, Basha, por në fakt kanë vetëm dorën e majtë. Japin, duke parë se mundësia për të marrë mund të jetë e largët, e ndoshta, kur ajo të vijë, Basha nuk do të jetë aty. Një biznesmen nuk e hedh kurrë një lekë në xhepat e politikës pa qenë i sigurtë se nesër do të shkojnë dy të tillë drejt tij. Firmat më të njohura ndërtuese apo tregtare, prej shumë kohësh kanë qenë motori naftësjellës i pëdëistëve, dhe vazhdojnë të jenë, në një mënyrë ose në një tjetër, por kjo rrjedhje është më e pakët se sa ka qenë dikur dhe më dyshuese.
Basha duhet të bëjë diçka. Dhe ai ka zgjedhur dy rrugë, të cilat, në praktikën e tij, thellësisht korruptuese, nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Nga njëra anë shfaqjen e “të fortit” në politikë, dhe nga ana tjetër, krijimin e perandorisë së tij financiare.
“I fortë” në politikë i duhet domosdo Bashës. Ai e di mirëfilli se nëse, sado pak, lëkundet dhe bëhet disi më i arsyeshëm, megjithëse nuk e di nëse mund të pritet kjo prej tij, njerëzit rreth tij, sidomos ato të financës, do të fillojnë të mos e besojnë, të mos e kenë frikë, të shkëputen deri sa ta braktisin. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me njerëzit e thirrur prej tij në politikë si një gardë revolucionare.
Për të qenë shaqshëm si njeriu i të fortëve, Basha është gati të bëjë gjithçka, edhe të shkatërrojë jetën parlamentare, ashtu si hodhi në erë grupin e tij parlamentar, duke patur sot një grup larosh, pa emra të njohur, me një bjerrje të jashtëzakonshme të elektoratit. Ka qenë hera e parë, që krejt hapur, listat e deputetëve u bënë sipas shijeve të familjes kunatore Isufi, që vendos të parin në listë një biznesmen të panjohur në politikë, si Shehu dhe, sekretarin e përgjithshëm Ristani e lë jashtë listës.
Ka disa javë që Basha po përpiqet të krijojë lëvizjen e tij paralele, si dy pole parlamentare, pozita në vete dhe opozita rreth e rrotull saj, por jo në sallën ku duhet të ishte. Krijimi i kësaj lëvizje, që nuk e di pse të ngjan me atë thënien e njohur maoiste, “fshati të rrethojë qytetin”,megjithëse “seancat” parlamentare të Bashës bëhen në salla moderne, ka pikërisht qëllimin e krijimit të idesë se ai po vjen në pushtet dhe përmes këtij cikli rrethor të krijohet shtjella e “ujrave” që derdhen në firmat kunetore.
Nuk ka asnjë qëllim tjetër braktisja e sallave parlamentare dhe krijimi i një lëvizje rreth e rrotull saj, duke marrë radhazi qytetet e mëdha të Shqipërisë, deri sa të mbarojnë të gjitha.
Ai, në një shfaqje që duket si e pakuptimtë, as nuk bën atë që i thotë Berisha, të dorëzojë mandatet dhe të ikin të gjithë nga parlamenti, duke e justifikuar këtë me krimin që e ka në terminologjinë e tij politike, dhe, as nuk bën tjetrën, të ndërtojë frontin e tij aty ku e kanë deleguar, në parlament.
Nëse ai braktis parlamentin, si i thotë Berisha tash sa kohë, do të thotë që ai të heqë petkun e forcës politike dhe kërcënimin përmes këtij fakti; atij do i duhet të hedhë poshtë dorezat e politikës së forcës. Kjo do të ishte një humbje e madhe pasurore, e ndoshta që këtu do të mund të ishte fillimi i fundit të tij.
Nëse ai shkon në parlament nuk do të mund të gjejë asnjë status tjetër, veç asaj që ka hedhur tash e sa kohë, nëse idetë e tij për të kërcënuar politikën dhe hapjen e një “vettingu” të ri, jashtë strukturave që po formësohen dihet se janë një alibi e hidhur; nëse tani ata po e gjejnë armikun tek zonja Marku, Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme dhe kërkojnë të realizojnë çka humbën në dhjetorin e shkuar, të gjitha këto janë përsëritje e ngjarjeve që shkuan dhe që nuk ngjallin asnjë emocion politik.
Mirëpo, ai që humbet, ndërsa Basha familja kunetore pasurohet, nuk është askush tjetër, veçse vendi ynë, pasi aktualisht nuk jemi vetëm pa Gjykatë Kushtetuese, në fillin e humbjes së Gjykatës së lartë, por edhe në mbajtjen pa asnjë lloj opozite.
Duke ndërtuar një perandori, ai do të hedhë poshtë një strukturë që, pavarësisht se deri tani ka qenë më shumë se një makinë e përdorur me ndotje të lartë politike, përsëri mund të jetë e dobishme.
Qeveria nuk e ndjen mungesën e opozitës në parlament. Po gjendet më komode, megjithëse bën sikur është e hidhëruar. Ajo po shndërron sallën e parlamentit në një mjedis mëngjarash, ku debatet i kanë lënë vendin qyfyreve dhe ku ligjet miratohen duke ngritur dorën, edhe pse disa ligjvënës mund të mos e dinë se për çfarë e kanë ngritur.
Ku e shpie mushka këtë lëvizje politike, rrethanore e hoteliere?
Nëse dikush nuk e di, le të pyesë se sa janë rritur bizneset e kunatit Isufi këto kohët e fundit.
Atëherë do e kenë të qartë pse e gjithë politika e Bashës sillet në një lëvizje satelitore rreth një pike që, megjithë emrat e ndryshëm, kanë të njëjtën deri hyrje: kunatin Isufi dhe motrën e tij që është edhe gruaja e liderit të opozitës, zotit Basha.
Ndoshta ai pret të përsëritet maji i vitit të shkuar me një marrëveshje hënore, por, tani, pranë tij është edhe dikush tjetër që, nëse dikur ka hedhur mbi një mik bashkëqeverisës një çizme, mbi kokën e këtij tjetri mund të hedhë shumë më tepër. Sepse, nëse luan lirisht me të tijtë, nuk mund të luajë me një strukturë tjetër që skifteron pranë tij.