Kryeministri Rama është pyetur nga gazetarët në konferencën e fundvitit se me cilat para ndërtohen nga e para shtëpitë e familjeve të varfra që shohim në kanalin e tij ERTV.
Rama tha se bën të njejtën gjë si edhe shumë njerëz të përfshirë në ndihmën e më të varfërve, u kërkon kompanive shqiptare që të kontribuojnë për këtë nismë.
Rama tregoi se për këtë, udhëhiqet nga parimi i tij i vjetër: Kur nuk merr lekë për vete, mund të kërkosh për të tjerët.
“Është e njëjta gjë që bëjnë edhe të tjerët që më kanë frymëzuar mua, duke i kërkuar kompanive që të rindërtojnë shtëpi për familjet e varfra. Nuk janë para të buxhetit.
Është thjesht kërkesa ime e drejtpërdrejtë. Kur nuk merr lekë për vete, mund të kërkosh për të tjerët. Ky është parimi im që në bashkinë e Tiranës”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se nuk e bën këtë nismë për kapital politik, por e vendos kapitalin e tij politik në shërbim të të tjerëve.