Sipas Pashës, në 2009-ën, kryenegociatori shqiptar i marrëveshjes deklaroi se Shqipëria nuk ka humbur asnjë milimetër det.
Nga MYSLIM PASHA
Ditë më parë lexuam në mediume se kryenegociatori i marrëveshjes së parë detare midis Shqipërisë dhe Greqisë shkonte në një mision dhe detyrë të re, në UNESCO. Domosdo, se lajmi jepej me nënkuptimin e ndjeshëm të këtyre ditëve. Nuk u ndjeva mirë, sepse gjithherë duhet menduar si për veten tënde, për familjen, karrierën në ndikimin tërë- sor vetjak dhe familjar, në mbresat psikologjike të pashlyeshme, krejt të natyrshme. Negociatorët, sot e kësaj dite vijojnë të thonë se “kanë bërë negocime të paqme” e po kështu: “ndihen në paqe me veten e tyre”
“Kaq ditëm e kaq bëmë”!
“S’kemi dhënë asnjë milimetër det”!
“U bazuam te Vija e Mesme”! etj.
“Kaq e dita, kaq e thashë!
Merre o Shtet i shtrembër se ta lashë”!
Me që ra fjala për kryenegociatorin, ai u shpreh tek UET para nëntë vjetësh (si ikin vitet!!!) para opinionit studimor se: “Ne mund të duam shumë më tepër hapësirë detare,…po kaq na takoi…!”
Ishte i veshur me të bardha…dhe vinte nga OKB-ja.
Po ku ishte ky shteti ynë i shtrembër, i cili në paradigmën e tij të shformuar, i shtrembëron edhe më keq nëpunësit e tij?
Grupi negociator e kreu Detyrën! Po ku ishte Oponenca e specializuar në dorë të një Institucioni të lartë për të Drejtën Detare Ndërkombëtare?
Ku ishte oponenca nga Institucionet gjeohartografike kombëtare?
Ku ishte Oponenca e Institutit të Gjeoshkencave? Këto institucione duhej që ta merrnin në dorë, ta skanonin dhe filtronin Marrëveshjen në të gjithë lëndën e përmasat e saj, përpara se të shkonte te ministri i Jashtëm për firmë. Pastaj një MEMO për Kryeministrin.
Pse jo dhe për Këshillin e Mbrojtjes!?
Ku ishte ky shteti ynë i shtrembër në këtë mision të lartë kombëtar, kur ia la historisë një paçavure e një shkel e shko aq të turpshme, me mbresa të dyshimta jo vetëm në marrëdhëniet me Greqinë, por dhe për gjithë rajonin.
Ku ishte Shteti ynë i shtrembër!?
Prandaj, kryenegociatori me brerje ndërgjegjeje në thellësinë e tij (edhe pse e ka gjykuar Gjykata Kushtetuese) ndoshta vuan përmendjen e tij në mediume, kur ai ndodhet në ngjitjen e tij të karrierës diplomatike.
Ku është ky shteti ynë i shtrembër!?