Grupi parlamentar i Partisë Demokratike pritet të mblidhet nesër në orën 09:00 me kërkesë të kryetarit të komanduar të partisë, Enkelejd Alibeaj.
Edhe pse pati shpresa se kjo mbledhje do të përfshinte dhe deputetët të përjashtuar nga PD, Alibeaj këmbëngul që në këtë mbledhje të mos marrë pjesë ish-kryeministri Sali Berisha. Deputeti dhe anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Flamur Noka i ka kërkuar Alibeajt që të ftohen për të marrë pjesë në mbledhje të gjithë deputetët demokratë të përjashtuar nga Kryesia e PD në 11 janar 2022.
Por, Alibeaj ka këmbëngulur që nuk mund të pranojë pjesëmarrjen në mbledhje të ish-liderit historik të PD, Sali Berisha. Dita e sotme, e cila përkon dhe me seancën e radhës së Kuvendit të Shqipërisë do të konfirmojë zhvillimet e mëtejshme në PD.
Vetë Alibeaj deklaroi javën e kaluar në një konferencë për mediat në selinë blu se Berisha nuk mund të marrë pjesë në mbledhjet e grupit të deputetëve të PD pasi ky grup është konstituuar në 10 shtator 2021, një ditë para legjislaturës së nëntë të Parlamentit të Shqipërisë dhe një ditë më vonë pasi Lulzim Basha vendosi të pezullonte Sali Berishën nga grupi parlamentar demokrat.
Kujtojmë që Alibeaj së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi u takuan javën e kaluar me Berishën dhe anëtarët e tjerë të Komisionit të Rithemelimit të PD për të gjetur zgjidhjen e daljes nga kriza të partisë më të madhe opozitare. Alibeaj i kërkoi ish-liderit demokrat se nuk duhet të garojë për postin e kryetarit të partisë pasi është shpallur “non grata” nga SHBA dhe se me një lider të tillë, PD nuk mund të marrë dot pushtetin.
Megjithatë, Berisha iu përgjigj se beson se partia më e madhe e opozitës mund të rrëzojë qeverinë socialiste me vota nëse drejtohet prej tij.
Larg mediave, Basha vazhdon turin e takimeve me demokratët
I
sh-kryetari i dorëhequr i PD, Lulzim Basha po vijon takimet jozyrtare me demokratë në zonën e kryeqytetit. Ditën e martë, ai u takua me anëtarë demokratë të degës nr.2 në kryeqytet, ndërsa dje është takuar më demokratët në Malësinë e Madhe. Prej disa ditësh, ai ka zhvilluar takimet me demokratë të PD të Ndroqit, Dajtit dhe degës nr.8. Basha ka zgjedhur që këto takime t’i zhvillojë pa prezencën e medias duke mos bërë publike deri tani se çfarë strategjie do të ndjekë më tej në karrierën politike.
Në 21 mars, Basha dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë së qendrës së djathtë shqiptare, por shtoi se do të kontribuojë në bashkimin e plotë të PD. Lëvizjet e tij të fundit lënë të nënkuptohet se ish-kreu i PD për më shumë se 8 vite nuk do të tërhiqet nga politika, por nuk dihet nëse do të vazhdojë betejën politike me Sali Berishën apo do të krijojë një forcë të re politike.
Nga ana tjetër, Basha është vendosur pranë qendrës tregtare “Torre Drin” ku ka marrë zyra të reja pranë zyrave të ish-deputetit demokrat Endri Hasa. Kujtojmë se pak ditë më parë Gjykata Civile e Tiranës vendosi pro statutit të Kuvendit të 11 dhjetorit, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe njohjen e grupit të Rithemelimit.