Leku letër në Bashkitë e vogla! Po miq, letër dhe pa pyetur fare nëse ka SPAK apo jo. Personazhi në fjalë, që nuk pyet për SPAK është Eduard Duro, kryetari i bashkisë së Devollit, i njohur për rastet e fundit me presionin që u ka bërë gazetarëve që investigojnë mbi fondet publike.
I përfshirë në skandale të shumta me tenderat dhe vjedhjen e fondeve publike, kjo nuk ka mjaftuar për “specialistin” e socialistëve për ta larguar nga vendi që ka uzurpuar.
Në 13 korrik të vitit 2022, bashkia e Devollit lidhi kontratën me objekt “Materiale ndërtimi dhe mirëmbajtjes” me fond limit 11.330.428. 00 dhe vlerë kontrate: 9.751.902, me firmën fituese “Rej sh.p.k”. Por çfarë parashikohej të bëhej? Sipas kontratës do të kryheshin punime për të plotësuar nevojat e kësaj bashkie.
Shërbimet do të konsistonin në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, konkretisht shtrimin me çakull të rrugëve bujqësore dhe të brendshme, rehabilitimin e kanalizimeve, riparimin e rrethimit të varrezave, etj.
Për këto nevoja, Bashkisë së Devollit iu deshën 97 mln lekë (të vjetra). Një shifër jo e vogël, e cila besojmë se do t’i ketë lënë të kënaqur banorët e zonave të cilët prej vitesh kërkojnë të investohet në infrastrukturë.
Sipas këtij dokumenti në fshatin Maçurisht të Njësisë Proger është përdorur 415 m3 “çakëll, mbeturina për mbushje” për çakullimin e rrugëve bujqësore. Goxha sasi.
“Nuk është hedhur asnjë karrocë me çakull. Vijnë tani vetëm për vota”… “Po bëhen gropa- gropa, nuk i mirëmbajnë, t’i rregullojnë. Më shumë na duhen rrugët e fushave. U mbushën para 4 vjetësh me granil, kurse tani nuk është bërë merak kryetari i bashkisë të hedhë një lopatë zhavorr. Janë rrugët për ibret”, thonë banorët.
Eduard Duro u zgjodh kryetar bashkie duke garuar me veten dhe tashmë shpërdoron paratë e taksapaguesve si mos më keq, duke futur në xhepin e tij miliona lekë.
Një tjetër rast flagrant që duhet hetuar është, kur ka shpallur fitues të një tenderi kompaninë “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” sh.p.k (bashkim kompanish) në lidhje me rikonstruksionin e shkollës fillore “Myrteza Sala” në Bilisht.
Në këtë tender, që mban një vlerë marramendëse, krahasuar me llojin e shërbimit, nuk ka pasur garë, çka na bëjmë të dyshojmë se mes kryetarit të Bashkisë dhe administratorëve të firmës ka një dakordësi, që duhet të hetohet nga SPAKU.
Ajo që vihet re gjithashtu në këtë tender është, se kompania fituese ka ofruar sa 99 përqind e fondit limit dhe ka marrë më shumë se 1 miliardë lekë llogaritur bashkë me TVSH.
Të gjitha sa thamë më sipër duhet të hetohen nga SPAK dhe pse jo t’i vihen prangat kryetarit të bashkisë, i cili mendon se shkolla fillore e Bilishtit do më shumë se një miliard lekë për rikonstruksion, kur me një miliard lekë mund të ndërtosh një shkollë të re me kushte shumë të mira.
Prandaj dhe ky tender është shënuar si RED FLAG, që do të thotë se është një fakt, ngjarje, ose grup i rrethanave ose informacione të tjera që mund të tregojnë një shqetësim apo ekspozim dhe rrezik potencial te pajtueshmerisë ligjore për sjellje të paligjshme.
E teksa, rrugët e fshatrave në Devoll janë skandaloze, Duro, nuk kursehet për të pasuruar xhepin e tij, që në këtë tender, duket qartë që ka marrë një dorë të mirë.
Një tjetër skandal ku është i përfshirë Eduard Duro, ku janë në lojë 1.5 milion euro, është projekti për të futur në tubacione Ujëvarën e Valës.
Ujëvara e Valës është perla e Devollit të Sipërm, e vetmja e llojit të saj në gjithë jug-lindjen e Shqipërisë. Një atraksion turistik, por që nëpërmjet një tenderi rreth 1.5 milion euro, Bashkia e Devollit kërkon ta shkatërrojë, me justifikimin që do e përdorë për të furnizuar disa fshatra me ujë.
Ndërkohë që Bashkia ishte vënë në dijeni, se zona në fjalë ishte në proces për shpallje si “Zonë e Mbrojtur”, në kundërshtim të plotë me ligjin, dhe pa dokumentacionin e nevojshëm, në dt 01.12.2020 është lidhur kontrata midis Bashkisë dhe 3 firmave fituese të tenderit që janë ED KONSTUKSION SHPK – ARKONSTUDIO SHPK – NIEM SHPK Me vlerën 147,992,038 (pa TVSH) që është shumë afër vlerës së fondit limit 150 milion lekë.
Tenderi është bërë ende pa u marrë leje në Drejtorinë e Baseneve dhe Ujrave dhe as leje mjedisore, thjesht Bashkia Devoll vetëm sa ka aplikuar.
Banorët e Sinicës u ankuan, pasi janë kundër prishjes së ujëvarës dhe futjes së ujit të saj në tubacione. Ata nuk janë dakord të prishet një bukuri e tillë natyrore e cila çdo vit vizitohet nga qindra vizitorë vendas e të huaj.
“Bashkia Devoll thotë që nuk ka ujë për fshatrat. Në fakt kjo nuk është e vërtet. Ujë për fshatrat poshtë ka. Ka një problem me tubacionin, i cili është dëmtuar para disa vitesh dhe ai tubacion ka 7-8 litra në sekondë. Ndërkohë Kryetari i Bashkisë pretendon se do të marrë 10 litra, na e ka thënë me gojë në një mbledhje ndërsa në projekt e ka 30 litra. Dikujt i ka thënë 5 litra, ndërkohë ai vet nuk di se sa litra kërkon. Tubacionet i ka bërë për 200 litra në sekondë, ka bërë ca tubacione super të mëdhaja”, shprehet njëri prej banorëve.
Ata gjithashtu pohojnë se janë në dijeni të përfundimit të tenderit dhe se projekti teknik i tenderit pretendon të marrë 30 litra në sekondë nga 50 litra në sekond që ka aktualisht ujëvara. Ndërkohë që tubacionet në projektin teknik janë shumë më të gjera pohojnë banorët. Uji do të merret te burimi që është tre km mbi ujëvarë.
“Na kanë futur edhe neve si fshat në këtë projekt me pretendimin se ne nuk kemi ujë. Ne kemi ujë. Ne kemi një depo të re uji të bërë sipas gjithë standardeve me rreth 50 metra kub ujë dhe kemi 2 litra në sekondë ujë që furnizohet kjo depo. Sipas projektit do të investoj 100 milionë lekë (të vjetra) për fshatin tonë do të ndërtohet një depo e re me 75 metra kub ku do të na sjell 0.67 litra në sekondë”, thotë një tjetër banorë.
Pra Bashkia Devoll do të investojë 100 milon lekë për fshatin e Sinicës që t’u çoj më pak ujë seç kanë aktualisht.
Vetë kryetari z. Eduart Duro është shprehur në atë kohë, se e kupton shqetësimin e banorëve, por që garanton se Ujëvara e Valës nuk ka për t’u prishur.” Burimet që ne duam atë shfrytëzojmë për ujësjellësin rajonal të Mirasist që përmbledh pesë fshatra nuk mund të shfrytëzoj gjithë ujin e lumit dhe nuk do të shfrytëzoj as një të pestën e ujit të ujëvarës” thotë kryetari.
Ndonëse tenderi është zhvilluar dhe firmat fituese janë shpallur, z. Duro shpjegon se janë në pritje për lejen mjedisore nga Ministria e Mjedisit si dhe kanë bërë aplikim edhe në Basenin e Fierit për të marrë Lejen e Shfrytëzimit të Burimeve. Leje sipas tij të cilat do të dalin shumë shpejt, pasi furnizimi i popullatës me ujë është prioritar.
Së shpejti do të zbulojmë disa skandale të mëdha të këtij kryetari, i cili vjedh e shkatërron pronën publike pa turp e frikë!