Afro 8 orë lundrim me tragetin, “Prince” në pronësi të një kompanie shqiptare, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka mbërritur pasditen e kësaj të hëne në Vlorë.
E shoqëruar nga familja e saj dhe një grup bashkëpuntorësh, Meloni u prit nga kryeminsitri Edi Rama. Sipas informacioneve paraprake, udhëheqësja Italiane, do të qëndrojë për pushime në Vlorë për afro 2-3 ditë së bashku me familjen e saj. Kryeministrja italiane ndërpreu pushimet e saj në Pulia, në një fermë pranë Ceglie Messapica dhe u nis për në Shqipëri, duke iu përgjigjur kështu ftesës së Ramës, i cili pak ditë më parë tha për mediat italiane se e ka ftuar kryeministren italiane që të pushojë në Shqipëri. Madje Rama e konsideroi si motrën e re të Shqipërisë.
“Jam një vëlla i vjetër i Italisë, dhe kështu ndihem shumë afër Xhorxhias dhe më duket se ajo është një motër e re e Shqipërisë”
Mediat italiane shkruajnë se Meloni do të jetë në Shqipëri bashkë me bashkëshortin e saj Andrea Giambruno, vajzën e saj Ginevra dhe ndoshta edhe me motrën e saj Arianna dhe bashkëshortin e saj ministër, Francesco Lollobrigida. Gjithashtu sipas ANSA-s, Meloni do të kthehet sërish nesër në Puglia.
Në vizitën e shkurtër, kryeministrja duhet të takojë privatisht homologun e saj Edi Ramën.
Në axhendë është planifikuar edhe një vizitë private me kryeministrin Rama në rezidencën qeveritare. Në portin e Vlorës mbërritën punonjës të konsullatës italiane si dhe forca të shtuara të policisë.
Vizita e Melonit në Vlorë, vjen në një moment kur mediat italiane i kanë kushtuar shumë artikuj vendit tonë, ndërsa këtë vit shumë italianë kanë preferuar që pushimet t’i kalojnë në Shqipëri
Kreu i qeverisë ka bërë me dije se po arrihet shifra rreth 500 mijë italianë që kanë vizituar Shqipërinë këtë vit. Teksa pritet vizita e Melonit, vetëm një ditë më parë ish-kryeministri britanik Tony Blair mbërriti në Himarë me helikopter. Qëllimi i vizitës së tij nuk dihet, por nuk përjashtohet as ardhja e tij për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar.