Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka folur për zgjedhjet në Shqipëri. Ai ka bërë thirrje që në Shqipëri të votojnë Edi Ramën dhe Vasil Sterjovskin, një maqedonas që kandidon në Korçë.
“Të dashur maqedonas, qytetarë të Republikës së Shqipërisë, Republika e Shqipërisë do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 25 prill, dhe një nga kandidatët në listën e Partisë Socialiste, mikut tim të dashur Edi Rama, është edhe Vasil Sterjovski, një maqedonas”.
Ai ka thënë se Vasili ka përfaqësuar gjithmonë interesat e maqedonasve në parlamentin shqiptar dhe se ai vetë ka qenë gjithmonë i përkushtuar ndaj rolit të tij si deputet.
“Vasili ka qenë deputet në kuvendin e Shqipërisë në dy vitet e fundit dhe është përfaqësues i vërtetë i interesave të maqedonasve që jetojnë në Shqipëri.
Dita kur Vasil Sterjovski u bë deputet në parlamentin shqiptar ishte historike. 25 prilli është gjithashtu një ditë e rëndësishme, dita kur ju do të votoni si maqedonas në Republikën e Shqipërisë që Vasili të vazhdojë misionin e tij për të perfaqësuar maqedonsit në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë”, ka thënë Zaev.