Kryeministri Edi Rama ka propozuar ish-ministren e tij, Eglantina Gjermeni si ambasadore e Shqipërisë në OSBE. Ajo pritet të zëvendësojë në këtë detyrë ambasadorin tashmë të liruar Igli Hasani.
Në 9 shkurt kryeministri ka firmosur letrën e propozimit të Gjermenit drejtuar Metës për dekretim, çka sipas Presidencës bie ndesh me ligjin e Shërbimit të Jashtëm, i cili përcakton edhe procedurën e detajuar si veprohet në këto raste.
Nisur nga kjo, në 11 shkurt, pra dy ditë më vonë, Presidenca i ka kujtuar Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvend se përpara se Meta të firmosë dekretin, duhet që ky komision të organizojë një seancë dëgjimore me kandidaten për ambasadore.
“Për më tepër, në nenin 26 pika 4 të ligjit nr. 23/2015 parashikohet se përpara emërimit të ambasadorit nga Presidenti I Republikës, Komisioni për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, organizon seancë dëgjimore me kandidatin për t’u emëruar ambasador dhe i përcjell Presidentit të Republikës opinionin për kandidaturën e propozuar”.
Pasi ka marrë këtë letër, Komisioni i Jashtëm ka parashikuar një seancë dëgjimore të premten në 18 Shkurt me Gjermenin, në përfundim të të cilës do të dërgojë në Presidencë një raport mbi këtë propozim.