Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetet sociale një video ku tregohet se si funksionon Urgjenca, duke shkruar se ajo “është sot një shembëlltyrë e simotrave në Europë”.
Rama shkruan se ekipi fantastik i Urgjencës Kombëtare që në këtë kohë të mallkuar i gjendet pranë popullit 24 orë papushim.
“URGJENCA KOMBËTARE e Shqipërisë është sot një shembëlltyrë e simotrave në Europë dhe vetëm ta mendosh se çfarë do të kishte hequr ky popull, sikur largqoftë Armiku i Padukshëm të na kishte gjetur me autoambulancat rrangalle e me linjat fikse të telefonave të zinj të kohës së qepës, që ishin të vetmet mjete të urgjencës deri 7 vjet më parë, të rrëqethet mishi!
#RESPEKT për ekipin fantastik të Urgjencës Kombëtare që në këtë kohë të mallkuar i gjendet pranë popullit 24 orë papushim dhe ka shpëtuar mijëra jetë, nën trysninë e dyfishtë të ofensivës së virusit vrastar e të baltës lehëse të atyre që luftojnë kundër nesh, teksa ne luftojmë me mish e me shpirt me Armikun e Padukshëm”, shkruan Rama.