Nga Samiti i Ballkanit të Hapur në Ohër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski është shprehur ditën e djeshme se qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk mund të jenë peng i pritjeve të datave nga BE. Ai tha se Maqedonia e Veriut e ka bërë punën e saj, ndërsa shtoi se anëtarësimi në BE është qëllimi i vetëm strategjik i tyre.
Ai tha se Ballkani i Hapur nuk e zëvendëson Unionin. “Ne si shtet dhe si qeveri kemi obligim të sigurojmë standard më të mirë për qytetarët, të mundësojmë infrastrukturë për qytetarët, por nga ana tjetër qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk mund të jenë peng i pritjeve të datave në çdo samit të radhës të BE. Prandaj edhe në fillim të mandatit tim thashë qartë se nuk lidhem me data sepse nuk dëshiroj të ngre pritshmëri për diçka që nuk ka të bëjë me ne. Ne punën tona i kemi bërë.
Maqedonia e Veriut edhe pse nuk ka filluar negociata, nga vendet e tjera ka harmonizim të legjislacionit në kapituj të caktuar Për ne përcaktimi për anëtarësimin në NATO dhe në BE, çdo herë do të jetë qëllimi i vetëm strategjik”, është shprehur kryeministri maqedonas. Ai shtoi se BE, nuk e ka mbajtur premtimin e saj. “Integrimi në NATO u arrit sepse NATO e mbajti premtimin e saj. BE nuk e ka përmbushur premtimin e saj.
Kjo do të ndodhë si rezultat i harmonizimit dhe bisedimeve që do kemi të bazuara në vlerat evropiane. Për Ballkanin e Hapur nuk do të përsëritëm, por kjo është ide origjinale, burimore e tre shteteve. Besoj se qytetarët e Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnje Hercegovinës, Malit të Zi, edhe të Kosovës një ditë, kanë të drejtë të jetojnë në bazë të vlerave evropiane.
Kufijtë e vetëm që ekzistojnë në Evropë janë kufijtë në Ballkan. Për ne çdo herë BE do të jetë qëllim strategjik, nuk ekziston zëvendësim për këtë qëllim, por ne do të avancojmë punën tonë për qytetarët”, nënvizoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.