Kryeministri Rama ka dalë sot në një komunikim të jashtëzakonshëm me rastin e 21 janarit.
Rama u është përgjigjur akuzave që i janë bërë në drejtim të tij pse nuk ka vendosur drejtësi për vrasësit e 21 janarit.
Ndër të tjera në fjalën e tij ai ka akuzuar se fajtorët e vërtetë në lidhje me vrasjen e katër të pafajshmëve vijojnë duke dëshmuar sërish dhunë duke u bazuar në përplasjet mes Berishës dhe Bashës për selinë e PD-së.
Ai thekson se ata e kanë shlyer përgjegjësinë ndaj viktimave pasi kanë hedhur gurët e themelit për Reformën në Drejtësi që përgojohet nga pala tjetër.
“Atë ditë, asnjë protestues nuk e kapërceu gardhin drejt Kryeministrisë. Pashë sot komentatorë që flasin nga mbrapa bravës duke thënë se fajin për vrasjen e 21 janarit e kam unë sepse i thirra njerëzit në protestë, por nëse nuk ndalemi tek kriminelët që tërhoqën këmbëzën e pushkës….. Në fakt, njëri nga fajtorët ka Foltoren, tjetri është brenda dyerve të blinduara duke mbajtur bravën e Shqupit.
Të thuash që ata njerëz u vranë sepse nuk duhet të kishin shkuar në bulevard, nuk meriton përgjigje. Unë besoj se e kemi shlyer pjesën e detyrimit për dëshmorët e 21 janarit dhe e kam fjalën për reformën në drejtësi që përgojohet përditë nga kundërshtarët e saj, përbaltet e masakrohet përditë, foltore më foltore, portal më portal, klub më klub, sallon më sallon por që është pa asnjë dyshim guri i themelit të munguar prej 100 vitesh në këtë shtet, ku drejtësia s’ka qenë kurrë drejtësi.
Ka qenë një gur në duart e pushtetit, ose një gur për pazarllëqe. Për herë të parë, qysh nga krijimi i shtetit shqiptar është vënë një gur themeli me reformën në drejtësi dhe këtë gur e ka vënë kjo shumicë qeverisëse, nën drejtimin tim sigurisht. Për herë të parë, e ardhmja në drejtësi nuk është blozë, edhe pse e sotmja nuk është rozë. Më në fund erdhi në qeveri PS-ja dhe mori përsipër të vendoste këtë gur themeli në drejtësi”, tha Rama.