Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ndërkohë që na ndajnë më pak se 2 muaj nga dita e zgjedhjeve ka vazhduar me premtimet e saj elektorale të cilat ngjanë fiks si premtimet e aleatit të saj, kryedemokratit Lulzim Basha.
Në videomesazhin e saj Kryemadhi ka theksuar se do të mbështesë energjinë e gjelbër dhe këdo që përdor panelet diellore për përdorim shtëpiak
“Shqiptarët jetojnë në një vend të bukur dhe të bekuar nga Zoti, me malet fisnike , me fushat, detin e ajrin si askush tjetër. Por keqshfrytëzimi dhe papërgjegjshmëria e kanë ndotur mjedisin duke e bërë shpesh të rrezikshëm për jetën e njerëzve dhe një mundësi të munguar për turizmin.
Ne do të mbrojmë dhe kthejmë në normalitet ambientin, tokën, ujin dhe ajrin nga ndotja e nga zhvillimi industrial i papërgjegjshëm. Ne do të mbështesim energjinë e gjelbër dhe këdo që përdor panelet diellore për përdorim shtëpiak.
Do të reformojmë standardet e ruajtjes së energjisë në ndërtim dhe ato antisizmike, që t’i bëjmë ndërtesat më të sigurta dhe më pak të kushtueshme për shqiptarët. Do të vendosim një kontroll rigoroz për cilësinë e karburanteve dhe do të realizojmë një ulje të ndjeshme të kostos së tyre në rreth 20 % duke hequr taksën e qarkullimit. Ne e mbajmë fjalën! Shqipëria shtëpia juaj! ”, shkruan Kryemadhi.