Klasa politike ka reaguar pas deklaratave të kreut të PD Lulzim Basha ndaj ministreve të reja.
Kryetarja e PS për Tiranën Blerina Gjylameti ka reaguar duke nënvizuar se rreshtimi i fyerjeve ndaj ministreve është thjesht dhe vetëm katandisja e një lideri pa program, pa alternative, por vetëm me gjuhën e urrejtjes.
“Alternativa e gjumit dhe gjuha e gjumashit një akt kundra përfaqësimit të grave dhe vajzave në politikë. Rreshtimi i fyerjeve ndaj ministreve është thjesht dhe vetëm katandisja e një lideri pa program, pa alternativë por vetëm me gjuhën e urrejtjes. Tek dëgjoja sot deklaratën qesharake të liderit të opozitës, që i drejtohet ministreve në një mënyrë krejt të pasjellshme, kuptova se edhe keqardhja nuk mund të gjej vend tek Kryegjumashi i Opozitës, që si një makineri robotike vetëm nxjerr vrerë dhe mllef ndaj shqiptareve të këtij vendi”, thotë Gjylameti.
Ajo thekson se këtë 21 janar Lulzim Basha do të duhet të ishte para drejtësisë për katër protestuesit e pafajshëm të vrarë në Bulevard nga garda, kohë kur ministër i Brendshëm ishte vetë kreu dmeokrat, dhe jo të nxirrte vrer ndaj grave dhe vajzave.
“Ai që sot duhet të ishte përpara drejtësisë për të dhënë llogari për nënat, gratë dhe bijat e katër të rënëve të cilëve u detyrohet me ndëshkimin e tij, del me gjuhën e vrerosur dhe flet për nënat, gratë dhe bijat që janë zgjedhur krejtësisht në mënyrë legjitime për të përfaqësur kërkesat e njerëzve në sektorët e qeverisë. Mesazhi ynë si përfaqësues të njerëzve dhe të çdo komuniteti duhet të jetë në respekt të barazisë gjinore dhe të çdo gruaje apo vajze si një mundësi më e mirë përfaqësimi për ardhmen e përbashkët. Vetëm ata që duan të shkuarën nuk mund ta pranojnë të ardhmen”, nënvizon deputetja e PS.