Aleanca e kreut të PD, Lulzim Basha me Monika Kryemadhin dhe Shpëtim Idrizin ka shkaktuar tensione të forta në rrahët e Partisë Demokratike. Gazeta prej ditësh e ka deklaruar se baza e PD nuk e ka mirëpritur bashkëpunimin e Bashës si me LSI ashtu edhe me PDIU. Ndërkohë që duket se rebelimi i bazës ka arritur kulmin ditët e fundit, teksa anëtarë të shumtë janë përplasur me deputetët e partisë së tyre. Ditët e fundit Partia Demokratike ka hyrë në një proces zgjedhor, ku po i nënshtrohen zgjedhjes për kryetar të ri të gjithë seksionet dhe grupseksionet në të gjitha degët e PD në vend.
Sipas informacioneve të gazetës, në shumë mbledhje ka pasur debate të ashpra, ku shumë anëtarë kanë shfaqur rezerva të shumta, madje edhe janë “rebeluar” ndaj të deleguarve dhe koordinatorëve të Bashës, të cilët monitorojnë zgjedhjet, sa i takon bashkëpunimit me PDIU dhe LSI. Ndërkohë që ditën e djeshme një gjë të tillë e faktoi edhe deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo.
Gjatë një prononcimi për mediat, deputeti Pollo ka folur lidhur me aleancën e PD-së me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe ndikimin që kjo ka në elektoratin e djathtë. Sipas Pollos, demokratët kanë rezerva. Por Pollo theksoi se kjo ka ndodhur në kushtet kur të gjithë duhet të jenë bashkë kundër qeverisë së lidhur me krimin, ndërsa shtoi se rezervat mund të jenë edhe për aleancat me parti të tjera ku la të kuptohej për Partinë Drejtësi Integrim dhe Unitet, shkruan gazeta SOT.
“Demokratët kanë rezervat e tyre, jo vetëm për një apo një tjetër, por edhe për të fundit, sepse demokratët kanë një kujtesë, në kushtet kur pushteti mbahet në mënyra që nuk ishte imagjinuar. Rezerva mund të ketë edhe për Partinë Demokratike nga militantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por kështu janë punët e partisë. Por pyetja është ku të shkojmë”, deklaroi deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, ndër të tjera gjatë fjalës së tij, ditën e djeshme.
LSI rinis presionet ndaj Bashës
Teksa baza e Partisë Demokratike ka dalë kundër aleancës se Bashës me Idrizin dhe Kryemadhin, LSI ka rritur ndjeshëm presionet ndaj kreut të PD, pas pauzës disa javore. Eksponentë të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim u janë rikthyer thirrjeve për revolta dhe protesta me qëllimi rrëzimin e qeverisë. Madje, këto thirrje janë një mesazh i qartë për Bashën, në një kohë kur ky i fundit ka rrëzuar çdo opsion për dhunë, ndërkohë që është duke u marrë edhe me zgjedhjet në parti. Kanë qenë Kryemadhi, Vasili shumë zyrtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ata të cilët kanë riartikuluar thirrjet për revolta.
Kreu i grupit të LSI, Petrit Vasili ditën e djeshme bëri me dije se shumë shpejt do nisin protestat e opozitës të cilat kanë vetëm një synim, largimin e Edi Ramës si kryeministër. “LSI nuk e ka vënë ndonjëherë në diskutim pjesëmarrjen ose jo në zgjedhjet lokale.
Madje që në verë kemi nisur përgatitjet. Por ka vetëm një kusht nga ana jonë. Në këto zgjedhje Shqipëria duhet të shkojë pa Edi Ramën kryeministër dhe ne do ta arrijmë këtë. Por si do arrihet kjo? Objektivi i protestës do jetë largimi i tij dhe organizimi i zgjedhjeve me një kryeministër tjetër”, deklaroi ai. Ndërsa lidhur me arrestimet e ditëve të fundit, Vasili deklaroi se mbështet policinë në luftën ndaj krimit, por sipas tij, e gjithë kjo që ka ndodhur këto ditë duhet parë me vëmendje në ditët në vijim. “Pyetja ime është: si do jetë vazhdimësia e këtyre arrestimeve të bujshme? Krimi i organizuar, droga, pastrimi i parave janë bërë problemet kryesore të këtij vendi”, nënvizoi Vasili.