Situata në Partinë Demokratike duket se është qetësuar. Pas tensioneve të pak muajve të parë ku grupi i kritikëve kërkoi me ngulm që kreu demokrat Lulzim Basha të dorëhiqej nga posti i kryetarit, për shkak të humbjes së zgjedhjeve të qershorit, situata duket se ka ndryshuar.
Gazeta ka mësuar se kreu demokrat ka mundur të përçajë grupin e kritikëve duke rreshtuar sërish në krah të tij një numër të madh të tyre. Sinjalet u dhanë që në takimin që Basha pati me Genc Rulin dhe Besnik Mustafajn. Kjo për faktin se pas këtij takimi edhe grupi kritikëve ka qenë më i distancuar në sulmet ndaj kreut demokrat. Me përjashtim të ish-nënkryetarit të PD, Astrit Patozi, i cili i ka vijuar sulmet dhe pse në mënyrë të rralluar, pjesa tjetër e kritikëve ka vendosur që t’i besojë Bashës deri në zgjedhjet vendore.
Madje, edhe vetë ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është tërhequr nga sulmet ndaj kreut demokrat, pasi për një kohë të gjatë nuk ka lëshuar akuza ndaj tij. Por edhe pse ka nga ata kritikë që vijojnë të kërkojnë largimin e Bashës dhe që janë kundër ideve të tij, kreu demokrat ka arritur të fitojë besimin e shumicës së tyre deri në zgjedhjet vendore dhe pse nuk arriti të përmbyllte proceset zgjedhore në bazë brenda afateve të caktuara.
Madje, një fakt të tillë e pohoi për gazetën edhe vetë anëtari i kryesisë së PD, Gent Malko, njëherësh kritik i Bashës. I pyetur nga gazeta mbi situatën politike në vend dhe nëse a duhet të largohet Basha nga drejtimi i partisë nëse humbet zgjedhjet vendore, Malko theksoi se largimi i kreut të PD do të kërkohet vetëm nëse ripërsëritet një tjetër humbje e thellë në zgjedhje. “Duhet të shihet organizimi i zgjedhjeve në shtator, përzgjedhja e kandidatëve si do organizohet fushata dhe pastaj do analizojmë rezultatin. Vetëm atëherë do të them se çfarë duhet të bëjë. Mund të ndodhi që mund të mundemi në zgjedhjet e pushtetit lokal por mund të kemi një rezultat më të mirë se më parë.
Pra për të qenë korrekt dhe për të shmangur çdo lloj paragjykimi qëndrimin do e japim pas zgjedhjeve”, tha ai. Por ashtu si dhe Malko të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe ish-deputetja Arbjola Halimi, e cila u shpreh se vetëm nëse PD do të marrë një humbje të madhe atëherë Basha do të largohet. “Padyshim koha e kërkon që nëse humbja të jetë e madhe, gjë që nuk e uroj, sigurisht që dorëheqja është opsioni më i mirë”, tha ajo.
Kritikët: Strukturat kanë probleme
Shtyrja e zgjedhjeve në bazë nga ana e PD për në shtator duket se ka lëkundur besimin tek një pjesë e demokratëve, njëherësh pjesë e grupit të kritikëve, të cilët e kritikojnë Bashën se po qeveris me të njëjtën mënyrë si më parë. Sipas Gent Malkos, PD po vijon me të njëjtat probleme dhe rrezikon që të mos shkojë e përgatitur në zgjedhjet vendore. “Përsa i përket riorganizimit sigurisht vazhdon të kemi një mënyrë të drejtuari të partisë siç ka qenë nga 2014 e këtej. Pra me të njëjtat probleme. Vendosin afatet dhe nuk i respektojnë. Shkojmë në zgjedhje nuk i respektojmë. Nisim lëvizjet brenda partisë për të përmirësuar funksionimin dhe këtë nuk e bëjmë.
Pra nuk ka ndonjë lëvizje për të bërë na një ndryshim. Edhe pse nuk e di se çfarëdo sjelli shtatori por mund të them që jemi shumë vonë në kohë. Duke parë këtu dhe që zgjedhjet janë shumë afër. Por edhe pse nuk dua të paragjykoj pasi shtatori do e pasqyrojë më mirë situatën, unë po them atë se çfarë po shoh”, tha ai. Ndërkohë edhe për ish-deputeten Arbjola Halimi strukturat e PD kanë probleme. Ajo tha se strukturimi i PD është i nevojshëm. “Lufta për kreun e degës zbeh forcën dhe energjinë që kërkohet për zgjedhjet vendore. Vëmendja duhet përqendruar aty. Strukturimi është i nevojshëm por duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Nëse është neglizhim apo jo është pak herët për ta thënë. Por vërtetë është që strukturat në bazë kanë probleme serioze”, u shpreh Halimi./Endri ARIZI