“Ish-kryeministri Sali Berisha, duhet të tregojë, se ku janë fshehur eshtrat e Remzi Hoxhës”, biznesmenit shqiptaro-maqedonas të zhdukur 20 vite më parë”, kjo ka qenë kërkesa më 5 Nëntor 2015, nga salla e Kuvendit të Shqipërisë, e nënkryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, i cili asokohe i kërkoi Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të angazhohet për ekstradimin e ish-zyrtarit të lartë të SHIK-ut, Ilir Kumbaro, i akuzuari kryesor për “zhdukjen” e biznesmenit Hoxha.
Në përgjigje të tij, Sali Berisha, i cili mbante postin e presidentit, në kohën e zhdukjes së biznesmenit Hoxha, pohoi se njoftimin e parë rreth ngjarjes e kishte marrë nga Adem Demaçi, por qeveria e tij, nuk ka pasur asnjë informacion dhe se ngjarja gjithmonë është përdorur politikisht. Ai akuzoi ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi se ka zhdukur dosjen e tij.
Kërkesa e Braçes për gjetjen e eshtrave të biznesmenit dhe vënia para drejtësisë e autorëve të krimit mostruoz:
“Jemi në ditët kur Remzi Hoxha, jo vetëm që nuk është më, sepse u rrëmbye, u torturua, u vra, iu zhdukën dhe eshtrat, por jemi në ditën kur familjarët e tij kërkojnë kockat, të paktën një varr për ta qarë me ritet e shqiptarëve. Keni detyrimin si gjysh, si prind, si vëlla, t’i thoni asaj familjeje, se ku janë eshtrat e Remzi Hoxhës. Nuk kërkoj asgjë tjetër, pjesa tjetër është e drejtësisë. Të kërkoj vetëm një gjë, atë që e kërkon djali i tij për 20 vite me radhë. Ia ke borxh ti, unë dhe kushdo tjetër.
Dua t’i bëj thirrje ministrit të Brendshëm që kasapin e atij regjimi, Ilir Kumbaron, ta sjellë këtu, në bazë të atij vendimi gjykate, i cili u sabotua disa herë me radhë, vetëm t’i shpëtonte drejtësisë. Këto janë krime që kërkojnë me patjetër përgjegjësi”, kërkesë drejtuar Saimir Tahirit nga Braçe.
Në përgjigje të kësaj akuze, Berisha tha se nuk ka pasur informacion për Remzi Hoxhën:
“E kam shpjeguar dhe e shpjegoj prapë se rastin e tij për herë të parë ma ka ngritur Adem Demaçi. Jam marrë me të gjithë mundësitë e mia. Nuk kisha pasur kurrë as informacion, as emrin e tij se kisha dëgjuar kurrë. U tha se kishte marrë pjesë në atentatin e Gligorovit, nuk kam pasur asnjë informacion. U tha më vonë se është akuzuar, se ka marrë pjesë në atentatin ndaj Sali Berishës, nuk kam pasur asnjë informacion. Zero informacion, as për Gligorovin as për Berishën. U tha më vonë se ka folur, se është takuar Arkani në Shkodër prapë me Gazideden, Pjetër Arbnori s’ma ka thënë kurrë një gjë të tillë”, tha Berisha.
Këto ishin vetëm sajesa dhe trillime të atyre të cilët kërkonin të përdornin një njëri pasi e zhdukën vet për qëllime politike”, deklaroi ai. Berisha akuzoi më tej ish-kreun e SHISH-it si personin që zhduku dosjen e Remzi Hoxhës. “Kur erdhi rebelimi komunist dhe unë ika në opozitë, Shërbimin Sekret Shqiptar e mori një agjent i dy shërbimeve të huaja dhe ky është Fatos Klosi. Gjënë e parë që bëri Fatos Klosi, zhduku dosjen e tij. Dhe nëse do këtu ndokush, sot janë dhe dëshmitarët që e kanë ndjekur për dy dosje dhe dosja rindërtohet plotësisht për Fatos Klosin, për çdo akt dhe veprim të tij”.
Por në përgjigje të tij, ministri Tahiri tha se:
“Berisha ishte në dijeni 3 ditë pas zhdukjes së Remzi Hoxhës. “Ish-kryeministri tha këtu që nuk ka qenë në dijeni. Në fakt është provuar në gjykim që është vënë në dijeni tre ditë pas zhdukjes. Është vënë në dijeni nga familjarët e të ndjerit Remzi Hoxha, duke i kërkuar atij, drejtpërdrejt të gjejë ku është Remzi Hoxha.
Madje Gjergj Jorgo, në atë kohë shef komisariati, Agim Shehu, zëvendësministër, Bashkim Gazidede drejtor i SHIK-ut në atë kohë, të gjithë në varësi personale institucionale të Sali Berishës, nuk i kthenin përgjigje prokurorisë për muaj të tërë, nëse targa i përkiste apo jo SHIK-ut! Ndërkohë është provuar në gjykim përtej çdo gjykimi, me prova se Ziso Kristopulli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha janë rrëmbyer, nga SHIK-u për t’u çuar në Vain të Lezhës, dy prej tyre u torturuan, i treti u torturua dhe nuk doli më gjallë”.
Lidhur me kërkesën e Braçes, ministri tha se:
Ka një vendim Gjykate që përmend, përfshin e në fund shpall fajtor kasapin e tij, Ilir Kumbaron, përmend, përfshin në krim Budjon Meçen, po aq dhe një tjetër, Arben Sefgjinin, pavarësisht se për Meçen na tregon gjendjen e komës e për tjetrin jep pafajësi”./Ekskluzive.al