Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë dje zyrtarisht pushimet, për t’u rikthyer në shtator me seancat dëgjimore për gjyqtarët dhe prokurorët. Por gazeta ka bërë një bilanc për të gjithë njerëzit e drejtësisë të cilët janë futur në veting. Që nga data 8 shkurt 2018 që ka nisur procesi i vlerësimit për gjyqtarët e prokurorët e deri më sot, pranë KPK janë zhvilluar në total 281 seanca.
Nga bilanci rezultoi se 106 gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa 120 të tjerë janë konfirmuar në detyrë për të ushtruar detyrën e tyre në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë që KPK gjatë kësaj periudhe kohore ka dhënë edhe rreth 60 vendime të tjera që janë për shkak të dorëheqjeve. Kohët e fundit, shumë gjyqtarë dhe prokurorë që ishin të zhytur në afera k.orruptive dhe që nuk justifikonin dot ligjshmërinë e pasurisë kanë përdorur si taktikë dorëheqjen.
Kjo formë e përdorur prej tyre, i ka nxjerrë nga sistemi i drejtësisë për 15 vjet, por ata nuk i janë nënshtruar hetimit administrativ në 3 kriteret nga trupa gjykuese. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë edhe 16 vendime për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar, për kryeinspektoren e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, 10 gjyqtarëve dhe 5 prokurorëve, si dhe 1 vendim për pezullim nga detyra për një periudhë 1-vjeçare.
Ndërsa Kolegji i Posaçëm i Apelimit i ka mbyllur seancat dëgjimore që në datën 30 korrik, ku gjatë këtij muaji nuk ka parashikuar asnjë seancë, duke i shtyrë ato për në muajin shtator. Kështu që, seancat që kanë ngelur, apo nëse do të ketë ankimime nga Komisioneri Publik, ato pritet që të shqyrtohen nga shtatori e më pas. Pra, periudha e verës rrjedhimisht solli dhe pushim për organet e vetingut dhe tashmë njerëzit e drejtësisë që ende nuk kanë hyrë në veting.
Shkarkohet Aleks Nikolli
Përpara se komisionerët e vetingut të iknin me pushime e dhanë edhe një tjetër karton të kuq. Seanca ndaj gjyqtaritë të Apelit, Aleks Nikolli, anëtar i trupës që zbriti dënimin e përjetshëm për Dritan Dajtin ishte e fundit për këtë sezon, ku u pasua me shkarkimin e tij nga detyra. Gjatë seancës dëgjimore pak ditë më parë ndaj Nikollit që zgjati 8 orë, atij iu vunë në dukje probleme të shumta të pasurisë, të cilat i kundërshtoi në parashtrimet e tij.
Gjatë seancës dëgjimore Komisioni konstatoi pamundësi financiare për ndërtimin e një shtëpie trekatëshe në fshatin Ishull Shëngjin të Lezhës, ku gjyqtari Nikolli rezulton si pronar i katit të dytë me sipërfaqe 147.8 m2. Sipas KPK nga analiza financiare rezultoi se Nikolli nuk mbulonte me të ardhura të ligjshme 6.2 milionë lekë të investimit. Komisioni ngriti po ashtu dyshime për veprime fiktive lidhur me blerjen dhe shitjen e një njësie shërbimi 12 m2 në qytetin e Lezhës.
Nga hetimi ka rezultuar se Nikolli e ka blerë këtë pasuri në vitin 2008 për vlerën 1.2 milionë lekë dhe ia ka shitur në shumën 3.2 milionë lekë vjehrrit të ardhshëm në vitin 2009. Probleme po ashtu u gjetën edhe për një kontratë për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Nikolli i kundërshtoi gjetjet e Komisionit në një mbrojtje të gjatë për rreth 6 orë. Ai këmbënguli se pasuria e tij ishte modeste dhe se kishte vetëm apartamentin në fshat.