Kryetarja e Gjykatë së Lushnjes, Esmeralda Çeka u bë të enjten gjyqtarja e 24 që konfirmohet në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Esmeralda Çeka ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008. Në mars të vitit 2009 ajo u emërua gjyqtare në Gjykatën e Lushnjes, ndërsa në vitin 2014 mori nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë mandatin për kryetare të së njëjtës gjykatë.
Trupa gjykuese që hetoi Çekën përbëhej nga Etleda Çiftja në cilësinë e kryesueses, Genta Tafa Bungo relatore dhe Pamela Qirko anëtare. I pranishëm ishte edhe vëzhguesi ndërkombëtar, Ferdinando Buatier de Mongeot.
Rivlerësimi i gjyqtares Çeka është kryer për të tre kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit. Të tre institucionet mbështetëse të vetingut, ILDKPKI, DSIK dhe KLD, ka dorëzuar raporte pozitive për gjyqtaren në KPK.
Edhe hetimi administrativ i KPK-së nuk ka konstatuar probleme për pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin e gjyqtares Çeka.