Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të hënën të mbyllë shqyrtimin gjyqësor ndaj prokurores Rovena Gashi, ndërkohë që kjo e fundit ishte larguar nga salla në shenjë proteste ndaj vendimit për të mos legjitimuar motrën e saj si mbrojtëse ligjore.
Sipas njoftimit për shtyp të KPA-së, trupi gjykues administroi një gjetje të vëzhgueses ndërkombëtare, Mia Roessingh – Bakels dhe vendosi të shpallë vendimin përfundimtar për Gashin në datën 29 maj, në orën 14.00.
Seanca e së hënës përballë KPA-së nisi sërish me kërkesën e subjektit të rivlerësimit për t’u përfaqësuar në shkallën e dytë të vetingut nga motra e saj, gjyqtarja Ema Gashi. Këtë herë, Rovena Gashi paraqiti kërkesën për dorëheqje që motra e saj gjyqtare kishte bërë në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
“Pas depozitimit të kësaj kërkese, subjekti i rivlerësimit, znj.Rovena Gashi i kërkoi sërish trupit gjykues të ketë si përfaqësuese ligjore në proces, motrën e saj, znj.Ema Gashi,” thuhet në njoftimin e KPA-së.
Por trupi gjykues i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Luan Daci relator, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo anëtarë u tërhoq për një tjetër vendim të ndërmjetëm lidhur me përfaqësimin ligjor dhe e rrëzoi kërkesën e Rovena Gashit.
Sipas trupit gjykues, Ema Gashi vazhdonte ta gëzonte ende statusin e magjistratit, të paktën deri më 30 qershor 2019, ndërkohë që KLGJ do të duhej të shprehej për dorëheqjen e saj deri në 14 korrik 2019.
“Në këto kushte, trupi gjykues çmon se nuk pranon kërkesën e sotme të subjektit të rivlerësimit për t’u përfaqësuar në këtë proces nga znj.
Ema Gashi, e cila është ende gjyqtare në rrethin gjyqësor Durrës, pasi kjo kërkesë është në kundërshtim të hapur me nenin 96, paragrafi i dytë, germa “ç” të Kodit të Procedurës Civile,” tha trupi gjykues në vendimin e ndërmjetëm.
Pas shpalljes së tij, Rovena Gashi u largua nga salla dhe trupi gjykues vendosi vijimin e gjykimit, në mungesë të subjektit të rivlerësimit. Procesi vazhdoi me gjetjen e vëzhgueses së ONM-së, znj. Mia Roessingh – Bakels.
Gjetja kishte të bënte me pretendimin e Gashit për pamundësinë për të marrë pjesë në seancën publike të 20 korrikut 2018 të zhvilluar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pretendim i cili ishte shoqëruar edhe me një raport mjekësor.