Stojani tha se Kushtetuta e thotë qartazi, ndaj i kërkoi në seancën e paradites KLP-së që të merrte një vendim, bazuar pikërisht në vendimin e KPA-së.
Në fillimin e mbledhjes së pasdites së KLP-së, zv.kryetari Tartar Bazaj pyeti anëtarët nëse Alfred Balla mund të paraqitet si dëgjues në sallë, kërkesë e cila është pranuar, duke i dhënë kështu mundësi kreut të detyrë të KLP-së që të japë qëndrimin e tij.
Këshilli ka rrëzuar kërkesën e Alfred Ballës për përjashtimin nga kjo mbledhje për Taratar Bazajn, për konflikt interesi. Pro kërkesës së Ballës ka votuar vetëm anëtarja Nurihan Seiti.
Alfred Balla vijonte të ishte anëtar i KLP-së dhe njëherazi kryetar i saj, megjithëse prej 18 dhjetorit 2023 i kishte përfunduar mandati 5 vjeçar. Balla qëndronte në detyrë në pritje të zëvendësimit të tij nga anëtari i ri, përfaqësues i shoqërisë civile, që duhet të zgjidhen nga Kuvendi.
Balla tentoi të shmangte procedurat e Vetting duke pretenduar se nuk ishte pjesë e sistemit, edhe pse bazuar në Kushtetutë, si ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë ai ishte subjekt i kontrollit.
Ndërsa kaloi fazën e parë në KPK pa një vendim të prerë, Komisioneri Publik iu drejtua KPA-së duke kërkuar përjashtimin e Alfred Ballës nga sistemi i drejtësisë. Me 3 vota pro dhe 2 kundra, KPA vendosi që Alfred Balla të mos ishte pjesë e sistemit të drejtësisë për 15 vjet.
Balla nga ana e tij ka paralajmëruar se do e çojë çështjen në Strasburg.