Qeveria ka vendosur të ndryshojë strategjinë për zbatimin e reformës në drejtësi. Në vitin 2016 u hartua një strategji 5-vjeçare për zbatimin e reformës në drejtësi. Por duke qenë se reforma ka hasur vonesa, qeveria ka nisur konsultimet për ndryshimin e strategjisë 2018-2019, duke vendosur afate dhe procedura të reja për ngritjen e organeve të reja të drejtësisë.
Sipas dokumentit të siguruar nga gazeta, aty jepen detaje se si do të shkohet te KLGJ, KLP, KED, ILD, SPAK dhe organet e tjera që do të krijohen në kuadër të reformës. Sipas draftit, deri në fund të vitit 2018 do të bëhet draftimi për infrastrukturën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Ndërsa gjatë vitit 2019 do të bëhet përcaktim i organigramës së KLGJ e KLP dhe përzgjedhja e stafeve. Po gjatë vitit që vjen sa i takon KLP e KLGJ synohet: Zbatimi në masën 40% i përmirësimeve të nevojshme në infrastrukturë; Analizë dhe Plan veprimi për rritjen e normës së likuidimit dhe uljen e kohëzgjatjes mesatare të çështjeve penale dhe civile në gjykatat Tiranë dhe Durrës (rreth dhe apel).
Riorganizimi i hartës gjyqësore dhe prokuroriale, si dhe të policisë gjyqësore dhe shpërndarjen e gjykatave në përputhje me ndarjen e re territoriale, numrin e popullsisë dhe numrin e çështjeve të pazgjidhura gjyqësore me qëllim forcimin e rolit dhe funksionimit të gjykatave dhe për të siguruar qasje në drejtësi. Ndërsa në 2020 synohet që KLGJ të ketë arritur te emërimi i 4 gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë.
Inspektorati i Drejtësisë
Sipas planit në vitin 2019 do të ngrihet Inspektorati i Lartë i Drejtësisë. “Krijimi i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, të ngarkuar me përgjegjësinë për të verifikuar ankesat, hetuar shkeljet disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjithë niveleve, anëtarëve të KLGJ e KLP, Prokurorit të Përgjithshëm dhe për të zhvilluar shërbime të tjera të inspektimit në gjykata dhe prokurori në pajtim me standardet evropiane”, thuhet në dokument.
Në kuadër të ngritjes së këtij institucioni gjatë vitit 2019 synohet: Miratimi i procedurave të brendshme të funksionimit të tij; Miratimi i manualeve e inspektimit dhe rekrutimi i stafit/inspektorëve.
Argumentet e qeverisë
Në dokument Ministria e Drejtësisë ka dhënë argumente se përse po shkohet te ndryshimi i strategjisë për zbatimin e reformës. “Zbatimi i objektivave të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë ka qenë që në fillim të procesit në vëmendjen e Qeverisë. Krijimi dhe operimi i mekanizmit institucional të monitorimit të Strategjisë që me miratimin e saj, është një mjet që ka synuar funksionalizimin e plotë të saj dhe realizimin e masave të parashikuara.
Në këtë mënyrë, konform vendimmarrjes së këtij Mekanizmi dhe në kuadër të thellimit të angazhimit të zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe reflektimin e saj në zbatimin e këtij Plani Veprimi, dhe për të pasur më shumë eficiencë në realizimin e masave u mendua një rishikim i Planit të Veprimit të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë, për periudhën e viteve 2018-2021”, thuhet në dokument./ Kliti TOPALLI