Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të marrë masa për të luftuar korrupsionin në radhët e institucionit. Në një nga mbledhjet e fundit është miratuar një rregullore “Për shqyrtimin e praktikave korruptive në Këshillin e Lartë Gjyqësor”.
Qëllimi i kësaj rregulloreje është të përcaktojë tërësinë e rregullave për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Përgjegjës, si dhe zhvillimit e procedurës që lidhet me shqyrtimin e praktikave korruptive, në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Pra në KLGJ do të ngrihet një Autoritet, i cili do të marrë denoncimet e publikut për raste korrupsioni brenda institucionit.
Madje sipas kësaj rregullore, do të ketë edhe shpërblim për ata individë që tregojnë me fakte rastet korruptive. Çdokush që zotëron informacione për praktika korruptive mund të mund të denoncojë pranë ambienteve të Këshillit, me çdo mjet
komunikimi, në formë të shkruar ose deklarohet verbalisht para Autoritetit përgjegjës në
Këshill dhe dokumentohet me shkrim nga ky i fundit. “Denoncimi në të gjitha rastet regjistrohet në një regjistër të veçantë nga ana e protokollit të Këshillit dhe administrohet në dosje të veçanta. Pas regjistrimit, dosja e denoncimit i kalon titullarit të institucionit. Denoncimet anonime trajtohen nga Autoriteti kryesisht, në të gjitha rastet kur ato përmbajnë të dhëna të besueshme për kryerjen e praktikave korruptive”, thuhet në rregullore.
Shqyrtimi
Sipas rregullores, autoriteti përgjegjës pasi njihet me përmbajtjen e dosjes së denoncimit, pas shqyrtimit paraprak, informon titullarin e KLGJ-së lidhur me marrjen e vendimit për: fillimin e hetimit administrativ për faktet, ngjarjet, rrethanat dhe personat e përmendur në denoncim, si dhe njoftimin e personit të denoncuar për njohjen e tij me materialet e denoncimit dhe hetimit administrativ; Përcaktimin e personave që disponojnë kompetencën dhe funksionet administrative, që lejojnë kryerjen e hetimit, të cilët do të ngarkohen me hetimin, objektin dhe afatin e mbylljes së tij; Shtyrjen e afatit, kur merr kërkesë nga personat që janë të ngarkuar me kryerjen e hetimit; Arkivimin e denoncimit, për mungesë kompetence, dhe dërgimin e dosjes së
denoncimit institucionit kompetent që ka lidhje me objektin e denoncimit; Përcjelljen e dosjes së denoncimit për kompetencë organit të prokurorisë, kur çmon se denoncimi përmban të dhëna të mjaftueshme për fillimin e procedimit penal; Mosfillimin e hetimit administrativ, arkivimin e denoncimit, kur denoncimi është i pabesueshëm, i një natyre të përgjithshme dhe i palidhur me rrethana konkrete, dukshëm i rremë ose i bërë me qëllim për të shmangur vëmendjen nga praktika korruptive.
Rrezikohen kallëzime penale
Sipas rregullores, autoriteti përgjegjës vendos për një ose disa nga veprimet e mëposhtme: Përgatitjen e kallëzimit penal sipas Kodit të Procedurës Penale, kur konstatohet se
ndodhet para kryerjes së një vepre penale; Fillimin ose paraqitjen e kërkesës për procedim disiplinor për autorët e praktikës korruptive, punonjës në institucion, kur konstatohen shkelje të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës, që përbëjnë shkak për fillimin e procedimit disiplinor; kërkon hartimin e raportit për vlerësimin e dëmit ekonomiko – financiar, shkaktuar shtetit ose të tretëve, si dhe mënyrën e vjeljes së dëmit, kur konstatohet se mund të ketë dëm ekonomik ndaj shtetit;
rekomandim për dhënie shpërblimi për personin që ka kryer denoncimin, së bashku me
arsyetimin për masën e shpërblimit të zbatueshëm ose shënimin që kërkesa për
shpërblim të refuzohet së bashku me arsyetimin përkatës.