Në kulmin e debateve politike në vend për dyshimet që po hetohen nga Prokuroria e Tiranës, për para’ ruse të paguara për lobim në Uashington, ku përfitues është Partia Demokratike, mazhoranca qeverisëse i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), një kontroll të shtuar për financat e partive politike jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë.
Top Channel disponon një kopje të rezolutës hartuar nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve që pritet të votohet seancën e ardhshme parlamentare.
“KQZ të hartojë metodologjinë e kontrollit dhe verifikimit të shpenzimeve të financimeve të partive politike dhe fushatave elektorale, brenda dhe jashtë vendit, duke shqyrtuar mundësinë e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me autoritetet përgjegjëse që kontrollojnë pastrimin e parave dhe financimet e kundërligjshme”, lexohet në rezolutë.
Kur kanë mbetur edhe tre muaj nga zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, Parlamenti po ashtu i kërkon KQZ ta rrisë kontrollin adminsitrativ përtej deklarimit të dokumentacionit financiar, që dorëzojnë partitë politike: “KQZ të përmirësojë shqyrtimin administrativ të verifikimit të financimit të fushatave zgjedhore jo vetëm mbi bazën e deklarimeve të subjekteve zgjedhore por edhe mbi bazën e dokumenteve dhe fakteve të deklaruara apo të bëra publike, duke referuar në ekperiencat e e vitit 2018”.
[ërmes kësaj rezolute në adresë të KQZ, maxhoranca i paraprin edhe skenarit për mosmarrje pjesë nga PD dhe LSI në zgjedhjet lokale: “KQZ të marrë masa për garantimin e funksionimin e rregullt të administratës zgjedhore duke konsideruar që mund të ndodhet në kushtet e braktisjes së sistemit nga partitë kryesore të opozitës parlamentare”.