Në vitin 1988, ka qënë një natë me lagështirë vjeshtore, në Durrës pati reprezalje policore në port dhe jashtë tij. Gjatë kesaj nate një numër personash kishin përfunduar në qelitë e Degës së Punëve të Brëndshme. Ndërkohë u kryen edhe kontrolle në banesat e tyre ku u sekuestruan një sasi e madhe materialesh importi duke përfshirë rroba, orë, manjetofonë dhe valutë. Deri dhe cigare “ Marlboro” të cilat përdoreshin ashtu si valuta, për shkëmbime me mallra me marinaret e huaj ose merreshin prej marinarëve të anijeve shqiptare dhe shkembeheshin në Itali me materiale të tjera.
Të arrestuarit ishin mbi 12 vetë. Punonjes porti dhe jashtë tijë. Arrestimi u krye pasi kishte ndodhur një përplasje fizike për ndarje zonash nga 2 grupe dhe ky konflikt kishte shërbyer si filli i Arianës për policinë, e cila, pasi e kapi fort, brenda pak ditësh kishte arritur që të identifikonte personat e implikuar në këtë treg “mollë të ndaluar” nga sistemi i asaj periudhe. Xhipset e policisë kishin punuar thuajse tërë natën për të kryer arrestime sekrete me qëllim që të arrestuarit të mos e merrnin vesh për njëri tjetrin. Madje ishte vënë në punë për arrestime dhe sekuestrime deri edhe ambulanca ushtarake e mjeksise ligjore të Degës.
Një goditje e tillë me përmasa kaq të shumta arresimesh, kishte kohë pa u dëgjuar në këtë qytet të qetë. Kishin kaluar mbi 10 vite kur qe arrestuar thuajse një ekuipazh i tërë vaporri… Këtë rast si mollë sherri kishte shërbyer fakti që në kalatën lindore ishte ankoruar një vapor vietnamez. Mallrat e rradhës i përkisnin shkëmbimeve të bëra me ekuipazhin e ketij vaporri. Furia e arrestimeve përfshiu edhe një nga vinxhierët e portit, pasi siç u tha, kishte futur 3 kontabandistë në hambarin e anijes vietnameze dhe i kishte nxjerrë më pas me materiale të shkëmbyera.
Kjo ngjarje ndodhi pak kohë më pas, kur edhe në afërsi të Parkut të Eksportit në Shkozet ishte gjetur rastësisht një trastë me groshë. Pasi qe gjendur grosha kishte pasur grindje për ta ndarë së bashku mes tre personave që rastisen banorë të barrakave të varfëra në afërsi, dhe në konflikt e sipër dolën nga brendësija e fasuleve rreth 100 copë orë dore…Shoferi që i kishte sjellë mbase ka dyshuar kur si kishte shkuar në takim blerësi, se mos po luante ndonjë lojë policia, dhe për të mos e kapur në flagrancë i kishte lënë anash rrugës,në një gëmushë që nuk binte dhe aq në sy për ti marrë përsëri më vonë.
Dhe kjo rastësi pati më pas kurbanin e vet. Kishte disa të arrestuar nga shoferët. Dhe të larguar nga puna. Po ndërkohë kontrabanda vijonte normalisht. Me këtë “veprimtari fitimprurëse” në port policia dyshonte se merreshin mbi 200 vetë.
Porti vend kontrabande
Porti i Durresit duke qenë edhe pika kryesore tregtare me boten e jashtme në periudhen e izolimit monist, ka qenë gjithashtu edhe pika kryesore e zhvillimit të kontabandes së shkembimit të floririt dhe valutes se huaj me mallrat që nuk gjendeshin në vendin tonë, kryesisht ora të ndryshme ku spikatinin orat “ Super Atlantik “ si dhe rroba luksi për burra dhe gra, të kategorive të ndryshme. Ishin kohe të varfëra dhe këtë varferi shtetërore djemte e Durresit përpiqeshin ta sfidonin duke thyer barrierat ligjore të shtetit komunist, duke rezikuar në shumë raste edhe burgosje me shumë vite.
Një nga protagonistet e këtij tregu të ndaluar , në periudhen e lulëzimit të tijë ka qënë edhe Qemal Cami, i cili sjell edhe kujtimet e veta eksluzive mbresëlënëse siç kanë qënë ato të grumbullimit të monedhave të floririt kontrabandë në zonat e thella të vëndit si dhe gjetja e tregut për të shitur produktet e ndaluara kryesisht në zonat me miniera ku te ardhurat ishin më të mëdha. Ai sjell detaje që për here të parë bëhen publike si dhe motivet e zhvillimit të ketij tregu të ndaluar. Qemali dëshmon edhe për vendet e blerjes se floririt si dhe valutës dhe se si zhvillohej ky treg në portin e Durresit. Po ashtu sjell edhe detaje dhe mbi mallrat që kërkonte me shumë ky treg klandestin si dhe ku shiteshin këto artikuj luksi për atë periudhë.
Ç’farë përthithte tregu nga kontrabanda?
Një nga orat që kërkoheshin më shumë ka qënë ora “ Super Atlantik”. Ajo ishte edhe një orë luksi që preferohej edhe nga zyrtarët e shtetit. Por kërkohej edhe për dasmat që bëheshin, pasi shumë prindër dëshironin që ti zbukuronin vajzat dhe djemtë dhëndurrë me ora të bukura, të cilat në atë perudhë mungonin në treg. Për të mbledhur paranë kryesisht monedhat e floririt që e siguronin këtë mall nga tregjet e perëndimit, por edhe për të shitur produktin e blerë udhëtonim kryesisht me tren, tregon Qemali. Deri ne Pogradec dhe Ballsh.
Me një orë fitonim mesatarisht 3-4 mijë lekë të asaj periudhe. Marinarëve në port u a blenim orën me 8 mije lekë dhe e shisnim 12 mijë deri në 15 mijë. Pra me një orë fitonim krysisht sa një rrogë mujore që na jepte shteti ynë i varfër. Kishte çmime të ndryshme po krysisht luhej një me katër deri në një me pesë. Orat lindore i merrnim më lirë dhe po më lirë i shisnim duke e ruajtur këtë normë fitimi. Zakonisht ishin të markave “ Pobjeda”, “ Vostok ”, “ Zarja”,” Poljot”, “ Raketa ” prodhime sovjetike që vinin nga një treg me çmime të lira dhe po ashtu shiteshin. Ishin ora të mira dhe të lira. Ne mblidhnim monedhat e floririt dhe me një monedhë u blinim marinarëve 4-5 copë “ Atlantikë”.
Monedha këtej i kapnim lirë në fillim, po të krahasohej me tregun e huaj 2, 3 dhe ne fund shkuan deri në 5 mijë lekë copa. Para ndërrimit të sistemit çmimi u rrit shumë përsëri në 8 mijë lekë. Kur u shkoi çmimi 19 mijë lekë e lashë fare kontrabandën… Qemali thotë se megjithëse ishin më të shtrenjta orat “ Atlantik” kërkoheshin shume në zonat me të ardhura të shumtanë lekë si minierat. Duke filluar nga Librazhdi, Prrenjasi, Pogradeci, Burreli, por tregje të fuqishme ishin edhe Shkodra, Korça, pa përjashtuar Tiranën. Ku kishte fuqi blerëse me të madhe. Në atë perudhe nuk duhet harruar që mesatarja e një rroge ishte vetëm 2500 lekë në 15 ditësh.
Duke folur gjithnjë në lekë të vjetra. Kontrabanda luhej nga marinaret tanë që sillnin mall nga portet e ndryshme të europës të shkëmbyer me flori ose valutë në dollar te blerë prej shitesave ilegalë në Durrës e gjetkë, ndersa kategorija tjetër ishin marinarët e huaj që shkembenin mall me ora dhe materiale të tjera. Ata ishin polakë, rumunë, bullgarë, gjermanolindorë. Me polakët kontabanda bëhej deri me një shishe konjak “ Korça ” ose “ Skenderbeu”. Ka qëlluar që për një shishe konjak kanë dhënë deri në 5-6 copë ora. Që të shitura shkonin te 60 mije lekëshi. Pra me 120-170 lekë që bënte një shishe e tillë fitoje një shumë lekësh të barabartë sa një rrogë vjetore.
Ne vërtiteshim aty rreth interklubit. Por edhe me miq që kishim në ngarkim shkarkim. Shkëmbimi bëhej natën. Shpesh brenda hambarëve. Po dhe në darkë në disa zona të veçanta të Durrësit. Si dhe në klubet “ Danubi”, “ Detari” e te “ Vollga ”, Kjo ishte nga halli pasi ne kerkonim të siguronim të ardhura, pavarësisht se rrezikonim kokën, po dhe pa ngrënë s’mund të rrinim.
Nga kjo shumë prej shokëve edhe janë arrestuar. Po durrsakët ishin njerëz që donin ta shijonin jetën. Nuk thonin kot ata “ Afër detit, afër mbretit…”. Po perveç orave, filloi dhe tregu me rroba , xhinse, komplete trikosh, këmisha najloni, rroba banjoje, tregon Qemali. Më të preferuarat mbeteshin rrobat për gra. Të cilat kishin fitim të madh. Po tregu më komod ishte tregu me kutitë e tualetit për ta. Shkonte 3000 lekë nje kuti e tillë. Vonë u futen në tregun ilegal edhe vietnamezët. Të cilët përveç artikujve të tjerë me shume kanë pas sjellë manjetofonë. Edhe ata ishin tregtarë të rregullt. Mbarohej punë kollaj me ta. Me korrektesë.
Përse u morem me kontrabandë?
Qemali tregon thjeshtë: Ne që bënim kontarbandë jetonim më mirë se të tjerët. Fëmijet tanë po ashtu. Po e ruanim fshehtësinë e lekëve që zotëronim. Se Sigurimi ishte vigjilent. Të numëronte edhe lugët që kishe në shtëpi e jo ma kur filloje të jetoje ndryshe. Po ne filluam të luftojme për jetën me këtë mundësi që kishim nga afërsija me portin, kur ushqimi ishte me triska dhe kërkonim një jetë më të mirë për fëmijët tanë. Unë në moshën 16 vjeçare isha jetim. Jetoja rrugëve. Kontrabanda ishte lufta jonë për mbijetesë.
Po nuk rrezikove kurrë nuk fiton në jetë. Njeriu duhet të rrezikojë që të fitojë. Kështu filluam kontabandën psh: Ti kishe florinjtë po s’kishe ku i shitshe. Se edhe ti sekuestrojshin. Ne i kthenim në lekë dhe kjo ishte një farë burse. Që u jepte mundësi për më shumë të ardhura atyre. Dhe për të zgjidhur më shumë halle. Pastaj fitonim të gjithë. Unë kam punuar 30 vite në hekurudhë. Punojsha në të gjitha stacionet e republikës. Ne durrsakët dallonim nepër stacione dhe na afroheshin shpesh vetë ose për të na shitur, ose bënin kërkesa për të blerë. Kështu kemi lëvizur shumë . Mbaj mend që floriri ka qënë i shumtë edhe në zonën e Mokrës. Prrenjas, Librazhd, Pogradec ishte floriri i paparë. Atëherë e jepshin lirë more. Një sterlinë bënte 4000 lekë. Sasia më e madhe e monedhave që kam kapur me një dorë si të thuash ka qënë deri në 20 copë.
Nga që punoja në Pogradec kam pasur një mikun tim arrixhi që mi solli. Mund të gjeja edhe dollar, po ata nuk i njihja mirë.Po ashtu miq kisha edhe arrixhinjë në Fier. Ata dhe arrixhinjtë e Peqinit ishin shumë korrektë. Ata kishin një ” kod nderi “që nuk flisnin. Po dhe ne kur na kapte policia i merrnim të gjitha mbi vete… Gjatë atyre viteve shumë marinare dhe punonjes të tjerë janë arrestuar pas ndjekjes që i bënte kontabandes Sigurimi i Shtetit. Mes të cilëve edhe Qemali./Shqiptarja.com/