Kompania “Gjoka Konstruktion” ka depozituar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda një padi ndaj drejtoreshës së ARRSH-së, Sonila Qato. Padia e paralajmëruar një ditë më parë në një njoftim për shtyp nga ana e kompanisë vjen për shkak të akuzave, sipas të cilave, “Gjoka Konstruksion” ka falsifikuar dokumentacionin e paraqitur për punë të pakryera në Rrugën e Arbrit, dokumentacion që kërkohej si një nga kriteret e tenderit për rrugën Kardhiq-Delvinë, që më pas u anulua nga Ministria e Infrastrukturës.
Kompania e akuzon kreun e ARRSH-së për shpërdorim detyre dhe dëmtim të imazhit, përmes publikimit në media të informacioneve të paprovuara.
Kompania akuzon drejtoreshën Qato, se në mënyrë të paligjshme dhe në përpjekje të dëshpëruar për të nxjerrë fitues në mënyrë të padrejtë kontraktorët e preferuar, ka ngritur një grup verifikues për punimet në Rrugën e Arbrit, pa njoftuar asnjeri. Në lidhje me grupin që ka kryer inspektimet, kompania shprehet se ata nuk kanë pasur me vete asnjë dokument, nuk kanë bërë asnjë pyetje dhe asnjë konstatim, çka ngre dyshime të forta për përfundime të hartuara paraprakisht. Për më tepër, kompania thotë se është vënë në dijeni për rezultatet e inspektimit pas publikimit të tyre në media.
“Është shumë evidente që Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Rrrugor Shqiptar ka shpërdoruar detyrën, ka kryer veprime arbitrare dhe ka shkelur barazinë e shtetasve dhe pjesëmarrësve në tendera. Për këtë arsye, ne kemi depozituar padi penale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda”, thuhet në deklaratën e sotme për mediat.
Një ditë më parë, kompania përmes një njoftimi për shtyp, u shpreh se tenderi për rrugën Kardhiq-Delvinë është shtyrë dy herë dhe kriteret e pjesëmarrjes në garë janë ndryshuar rrugës, me qëllim favorizimin e kompanisë italiane, “Ircop” S.P.A., e cila është shpallur fituese pavarësisht ofertës më të lartë, me një diferencë prej 509 729 253.75 lekë më shumë. “Ircop” S.P.A. më pas u skualifikua nga Komisioni i Prokurimit Publik, ndërsa vendimi për anulimin e tenderit të rrugës Kardhiq-Delvinë u mor nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila kërkoi që fondet të rialokohen në disa projekte të tjera.
Akuzat e ARRSH dhe reagimi i kompanisë
Një javë më parë, ARRSH i ka kërkuar Agjencisë së Prokurimit Publik nisjen e një procedure hetimi administrativ për kompaninë e ndërtimit “Gjoka Konstruksion” për punimet në Rrugën e Arbrit.
Sipas raportit të ARRSH-së, zëra punimesh janë paraqitur si të përfunduara, por në fakt janë të parealizuara dhe punimet në tunele vijojnë akoma.
Në lidhje me këto, kompania “Gjoka Konstruksion” sqaroi dje se nuk e ka deklaruar kontratën koncensionare si objekt të përfunduar dhe në këto kushte nuk është shprehur në asnjë pjesë të dokumentacionit të saj se tunelet dhe Rruga e Arbrit kanë përfunduar plotësisht.
“Në lidhje me gjithë pretendimet e ARRSH të publikuara në media sqarojmë opinionin publik se sipas dokumentacionit të vënë në dispozicion ARRSh-së në procedurën e tenderimit për plotësimin e kriterit të objektit të ngjashëm, janë përfunduar plotësisht 100% vetëm punime të situacionuara dhe të dorëzuara. Punimet në objekt vazhdojnë, vazhdojnë zëra punimesh të tjerë të zbatohen. “Gjoka Konstruksion sh.a” nuk është shprehur në asnjë pjesë të dokumentacionit të saj se tunelet dhe Rruga e Arbrit kanë përfunduar plotësisht. Është kryer kolaudim i punimeve të situacionuara dhe të realizuara nga “Gjoka Konstruksion” si nënkontraktor. Kontrata koncensionare e Rrugës së Arbrit e lidhur me Ministrinë e Infrastukturës dhe Energjisë, zbatimi i së cilës monitorohet nga Njësia e Zbatimit të Projektit të Rrugës së Arbrit dhe Inxhinieri i Pavarur-mbikëqyrës i punimeve të Rrugës së Arbrit, nuk ka përfunduar, por “Gjoka Konstruksion” nuk ka deklaruar kontratën koncesionare si objekt të përfunduar dhe është në nderin e drejtorit të ARrSh të mos abuzojë mbi këto fakte. Tunelet nuk janë deklaruar asnjë moment si të shfrytëzueshëm nga ne, deklarimi i tunelit si i shfrytëzueshëm do të bëhet nga Autoriteti kontraktor MIE dhe shoqëria koncensionare në përputhje të plotë me dispozitat e kontratës koncensionare dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në deklaratë.