Vijojnë të shkaktojnë debate hetimi i zgjedhjeve të 25 prillit. Kryetar i komisionit Enkelejd Alibeaj ka bërë të ditur planin e hetimit ku ka deklaruar se deri më datë 10 dhjetor është shqyrtimi i dokumentacionit ndërsa deri më 24 dhjetor do të ezaurohet thirrja e dëshmitarëve.
Për këtë demokratët kanë kërkuar që të thirren dëshmitarë drejtues më të lartë të qeverisë, të SPAK dhe Bashkisë së Tiranës. “Plani i hetimit: Deri në 10 dhjetor shqyrtimi dhe evidentimi i mangësive të dokumentacionit, 24 dhjetor do ezaurojmë thirrjen e dëshmitarëve, deri në 7 janar prezantimi i konkluzioneve, deri në 12 prezantimi i raportit final.
Një propozim për dëshmitarë: Edi Rama, Arben Ahmetaj, Bledi Çuçi, Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu,Frida Krifca, Erion Veliaj, Emirjana Sako, Arben Kraja, Olsjan Çela, Ardi Veliu, Gledis Nano, Artan Lame, Linda Karçanaj, Shkëlqim Hajdari, Reida Kashta, Sokol Zaimi, Bledar Doracaj, Ardian Çela, Besnik dervishi, Erinda Ballanca dhe botuesit Armand Shkullaku dhe Andi Bushati”, deklaroi Alibeaj.
Nga ana tjetër nënkryetari i komisionit Toni Gogu propozoi se drejtuesi i SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm duhet të hiqen nga lista e dëshmitarëve pasi nuk përputhen me cilësinë e dëshmitarit. Sipas nënkryetarit në listën e dëshmitarëve duhen shtuar deputetët e PD, Albana Vokshi, Xhelal Mziu dhe Gazment Bardhi të cilët kanë deklaruar se kanë dijeni për strukturën e mbrojtjes së votës.
“Në detyrat e komisionit, në planin e hetimit duhet të shtojmë edhe strukturën e mbrojtjes së votës. Dhe në listën e dëshmitarëve duhet të përjashtohen nga kjo listë drejtuesi i SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm, për shkak se nuk janë në përputhje me cilësinë e dëshmitarit. Të shtojmë në listën e dëshmitarëve Gazment Bardhi, Xhelal Mziu dhe Albana Vokshin që ka një deklaratë publike që kanë dijeni mbi SMV”, tha Gogu.
Nga ana tjetër Alibeaj nuk ra dakord me këtë kërkesë dhe u shpreh se askush nuk ka të drejtë të përjashtojë dëshmitarët. “Askush nuk ka të drejtë të përjashtohen dëshmitarët, është një kërkesë që nuk mund ta ezaurojë dot. Nuk do të pyeten për çështje konkrete, por do të japin sqarime lidhur me: sa çështje janë regjistruar, cilën fazë hetimi janë, pa përmendur personat në hetim sepse kjo është sekret hetimor”, u shpreh ai.
Opozita braktis mbledhjen
Pas debateve për thirrjen e dëshmitarëve, ka pasur edhe të tjera përplasje. Shkak u bë mosmiratimi i planit të hetimit. Alibeaj u shpreh se përderisa nuk miratohet plani nuk mund të nisë dot fillimi i hetimit. “Për sa kohë që nuk miratohet plani i hetimit, nuk mund të deklarohet dot fillimi i hetimit që do të thotë se praktikisht hetimi i këtij komisioni përfundon këtu”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër Gogu tha se opozita do të vonojë hetimet sa më shumë duke thirrur titullar që nuk kanë të bëjnë me hetimin.“Është e qartë që ju doni të harxhoni kohë duke thërritur titullar institucionesh që nuk na japin këtu asnjë të dhënë sepse nuk kanë dijeni dhe doni që të vononi sa më shumë”, tha Gogu. Tjetër arsye që çoi në mosmiratimin e planit hetimor lidhej me periudhën në të cilën do të shtrihej puna.
Opozita kërkonte nisjen nga janari 2020 deri në zgjedhje, ndërsa socialistët insistuan që gjithçka të kufizohej në periudhën zgjedhore 4-mujore të parashikuar në Kod. Pasi nuk gjetën gjuhën e përbashkët, opozita braktisi mbledhjen, ndërsa mazhoranca vijoi duke miratuar vetë planin e hetimit.