Pas pesë seancave dëgjimore, Komisioni Disiplinor i përbërë nga gjyqtarët Sokol Çomo, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari vendosi të shkarkojë nga detyra komisionerin publik Heral Saraçi të hënën, pasi e gjeti atë përgjegjës për pengimin e punës së institucionit.
Saraçi e konsideroi vendimin të padrejtë dhe njoftoi se do ta apelojë atë.
Hetimi disiplinor për Saraçin nisi me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili pretendoi për shkelje në punën e tij, ku përfshihet pengimi i mbledhjeve të komisionit dhe rekrutimi jashtë rregullave i stafit.
Kryetari i Komisionit Disiplinor, Sokol Çomo lexoi për një orë e gjysmë provat që ngarkonin me përgjegjësi komisionerin Saraçi. Sipas Çomos, gjatë seancave dëgjimore u provua se institucioni i Komisionerit Publik nuk ka miratuar rregulloren e funksionimit të vet për shkak të pengesave të krijuara nga Saraçi.
Sipas vendimit, komisioneri publik nuk hartoi një projekt-rregullore për veprimtarinë e institucionit vitin e kaluar, ndërsa më pas paraqiti një draft që binte në kundërshtim me variantin e dakordësuar me vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
“Duke shfaqur vullnet jo të sinqertë për të bashkëpunuar, Saraçi me veprimet dhe mosveprimet e tij ka dëmtuar rëndë veprimtarinë e institucionit të Komisionerit Publik, duke rrezikuar referencën e tij në mbrojtjen e interesit publik,” thuhet në arsyetimin e vendimit.
Komisioni Disiplinor e ka gjetur përgjegjës Saraçin edhe për rolin e tij në rekrutimin e personelit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe të Komisionerit Publik, ndërsa u evidentua se asnjë nga punonjësit e Komisionerit Publik nuk ka një kontratë të rregullt pune të nënshkruar.
“Komisonioni Disiplinor arrin në konkluzionin se me veprimet dhe mos veprimet e tij, komisioneri Saraçi, gjatë ushtrimit të funksionit të tij ka shkaktuar vonesa të pajustifikuara të rekrutimit të stafit dhe ka shkaktuar kaos në institucionin e Komisionerit Publik,” shtohet në vendim.
Vetë Saraçi deklaroi se vendimi është i padrejtë dhe paralajmëroi se do të gjejë format ligjore për ta kundërshtuar atë.
“Unë ende nuk e di se çfarë ligji kam shkelur. Vakumi ligjor është arsyeja e të gjitha përplasjeve dhe vonesave që janë shkaktuar dhe për të cilat akuzohem unë,” deklaroi ai.
Komisioneri Publik është një ndër tre institucionet e rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë, i cili ka për detyrë përfaqësimin e interesit publik gjatë kryerjes së procesit të vetingut.
Pas vendimit të Komisionit Disiplinor, pritet që detyrën e Saraçit ta marrë një prej komisionerëve zëvendësues të zgjedhur nga Parlamenti i Shqipërisë