Ndërsa në Kosovë i hoqën me votë liderët e korruptuar të partive të vjetra, në Shqipëri, personazhet kryesorë të politikës vazhdojnë të mbeten personazhe të tillë si Monika Kryemadhi dhe bashkëshorti i saj, Ilir Meta. Kryemadhi në një intervistë të dhënë për “ABC News”, ka marrë në mbrojtje të shoqin pas shkeljeve skandaloze të Kushtetutës.
Ajo thotë se presidenti Meta ka zgjidhur gjithnjë kriza në të gjitha rolet që ka pasur, si kryeministër, kryetar partie, kryetar Kuvendi apo president.
“Meta gjithmonë ka zgjidhur kriza shumë të vështira si president, si deputet i thjeshtë, edhe si kryetar partie”, tha ajo.
Kryemadhi shtoi më tej se kreu i shtetit nuk ka shkelur asnjë nen të Kushtetutës, ndërsa tha se Komisioni i Venecias duhet të tregojë nenin që pretendohet se ka shkelur Meta si president për sa i përket zgjedhjeve.
“Nuk jam këtu për të komentuar Komisionin e Venecias, as për të komentuar presidentin e Republikës, unë do të dëshiroja që Komisioni i Venecias të më tregonte nenin që ka tejkaluar kompetencën presidenti i Republikës dhe të më tregonte dhe nenin, qoftë në Kushtetutë, ose në Kod Zgjedhor, se kush është institucioni që vendos datën e zgjedhjeve.
Me kaq do të isha më se e kënaqur, mjaftojnë këto dy pika”, shtoi ajo.
Kryemadhi theksoi gjithashtu se nëse i hyhet investigimit të çështjes në fjalë, mund të dalin të dhëna të pakëndshme, ndërsa shtoi se vendi nuk ka nevojë për balancë por për qëndrime të drejta.
Sipas Kryemadhit, ka pasur lobime dhe udhëtime të dyshimta drejt Starsburgut, për të korruptuar me valixhe me para, anëtarët e Komisionit të Venecias.
“Unë do të dëshiroja që të mos merreshim fare me këtë gjë, sepse po të hyjmë dhe të diskutojmë në të gjithë investigimin e gjithë kësaj situate, do të na dalë që lobime të ndryshme, apo edhe fluturime të ndryshme nga Tirana drejt Strasburgut, kanë qenë të individëve të caktuar, apo edhe të grupeve të caktuara të interesit.
Mendoj që duhet të jemi shumë të kujdesshëm për ata që e kanë bërë një iniciativë të tillë, sepse duke krijuar një raport as mish as peshk, mund të mendojnë që mund të mbajnë një lloj balance.
Sot Shqipëria nuk ka nevojë për balancë dhe të jeni të bindur që pozicionimet e presidentit të Republikës, kanë qenë një shans për zotin Rama, pavarësisht se zoti Rama e sheh në favor të opozitës”, tha Kryemadhi.(TemA)