Nga Valon Gashi
Lugina e Preshevës përfaqëson padyshim skajin e Shqiptarisë, njëfarë mburoje të kombit, apo “Portën e Veriut”.
Të ndodhur në një pikë strategjike për rajonin, në trekëndëshin Serbi – Kosovë – Maqedoni, shqiptarët e Luginës kanë ruajtur ndër shekuj gjuhën, traditën, kulturën dhe lidhjet me kombin, edhe nën një trysni të herëpashershme nga ata që kanë dashur (dhe duan), që ta pastrojnë Luginën në baza etnike.
Shqiptarët e Luginës kurrë nuk kanë bërë martesa me serbët, duke ruajtur kështu identitetin deri në ditët e sotme.
Çdo familje shqiptare e Luginës sot ka dy ose më shumë familjarë që jetojnë në emigrim. Mund të thuhet lirisht që një Luginë tjetër është krijuar në Zvicër, Gjermani apo gjetkë, në shtetet e tjera të Europës dhe Amerikës. Ndonëse në Perëndim këta shqiptarë kanë krijuar familjet e tyre, punojnë dhe jetojnë, përsëri, një sy e mbajnë nga Lugina, ku thuajse të gjithë kanë ndërtuar shtëpi, duke treguar një atdhedashuri të pashoqe, që nuk manifestohet në të gjitha trojet shqiptare.
Por atë që po e bëjnë vetë qytetarët, nuk po e bën politika!
Në Luginën prej 60 mijë banorësh janë 10 parti politike shqiptare. Duke mos qenë të bashkuar në luftën për të drejtat e tyre apo në garat elektorale shqiptarët aty nuk mund ta përfaqësojnë veten në parlamentin e Serbisë me më shumë se një deputet.
Forcat politike kurrë nuk kanë dalë me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare dhe kurrë nuk janë bashkuar në zgjedhjet lokale për të garuar kundër kandidatëve serbë. Por, me sa duket, në fund të tunelit po shfaqet më në fund, pak dritë.
Shqipëria zyrtare po tregon më tepër interes dhe vëmendje për shqiptarët e Luginës.
Me ardhjen e Gent Cakajt në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka filluar të shtohet interesi dhe ndihma konkrete.
Së pari, Ministri Cakaj është njohur nga afër me problematikat e atjeshme, pastaj ka filluar ndihmën financiare për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, që është institucioni më i lartë zyrtar i shqiptarëve aty. Ky institucion merret me katër fusha kryesore, arsimin shqip, kulturën dhe gjuhën, informimin dhe simbolet.
Së fundmi, ministri Cakaj është i vendosur që të bashkojë politikën shqiptare të Luginës që në zgjedhjet e ardhshme në Serbi (pritet të mbahen në mars ose prill), të tejkalohen dallimet e brendshme dhe interesi kombëtar të vihet i pari. Sa do të arrihet kjo gjë? Shenjat duken pozitive, por vështirësia do të jetë tepër e madhe gjithsesi, pasi nuk është hera e parë që politikës shqiptare të Luginës i bëhet thirrje për bashkim dhe fatkeqësisht, rezultatet kanë munguar.
Bashkimi i tyre edhe mund të ndodhë në parim, por pjesa më e vështirë mbetet dakordësimi për listën zgjedhore, se cili emër do të vendoset në krye. Roli i ministrit Cakaj duhet të jetë në këtë pikë vendimtar. Zgjidhjet janë disa, por më e duhura mund të ishte kjo; duke iu referuar votave në zgjedhjet e fundit, Ministri Cakaj mund ta hartojë vetë listën, dhe t’ia dorëzojë politikanëve tanë me kusht që të dalin të bashkuar.
Përndryshe, dakordësimi aq shumë i dëshiruar s’ka për të ardhur kurrë!
Pra, Cakaj, me këmbënguljen e tij dhe kushtëzimin ndaj forcave politike, mund të arrijë më në fund, atë që shqiptarët e Luginës e presin prej kohësh.
Sepse, fillimi është i mbarë. Për hir të së vërtetës, asnjë ministër deri më sot nuk ka treguar kaq interes për Luginën. Cakaj, përveç se po dëgjon thirrjen prej dekadash për ndihmë nga shteti amë, po zbaton edhe kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Nenin 8, Pika 1, ku thuhet: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”.