Olsian Çela është renditur i pari nga KLP, në listën që do i dërgohet parlamentit për votim, në garën për Kryeprokurorin e Përgjithshëm. Arta Marku është renditur e dyta nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Renditja i pari në listë, bën që Olsian Çela të jetë një hap larg përzgjedhjes si Kryeprokurori i ri.
Pas dhënies së rezultatit, kryetari i KLP, Gent Ibrahimi ka dhënë një deklaratë për mediat, ku ka folur për ecurinë e procesit që e quan të shkëlqyer.
“Ky proces, shembull. Uroj që Kuvendi të mos e zvarrisë. Të merret parasysh pozicioni dhe të votohet kandidati që ne renditëm të parin. Unë nuk di si kanë votuar, ata kanë të drejtën ligjore për të votuar siç mendojnë ata. Jam në mëdyshje nëse duhet bërë lista publike për mënyrën e votimit. Mendoj që ka të mira dhe të këqija në publikimin e votimit. Vendimi do merret nga Këshilli.
Kjo s’është çështje dëshire, ligji parashtron që Kuvendi e zgjedh. Ligji merret parasysh, do bashkëpunojmë me këdo. Të tre janë kandidatë të vlefshëm. Ju na e bëni të lehtë, ne po zgjedhim një prokuror të mirë. Urojmë që Kuvendi të marrë parasysh zgjedhjen tonë, sepse ne i verifikuam profesionalisht. Parlamenti ka marshin e tij politik. Vlerësimi ka qenë profesional dhe aritmetikor. Secili anëtar shprehu vullnetin e tij. Shpresoj se nuk do të kemi ankimim. Ankimimi mund të bëhet brenda 3 ditëve. Besoj se nuk do të kemi probleme”, theksoj Ibrahimi.