Pas shumë sulmeve dhe tentativave bllokuese, ditën e hënë merr jetë Prokuroria e Posaçme Anti- Korrupsion. Pavarësisht ecurisë së vetingut apo ngritjes së KLGJ-së, KLP-së dhe KED-së, besimi te drejtësia ende nuk është kthyer. Ndërsa pritet të ngrihet institucioni që do të hetojë dosjet më me bujë, vlen të përmendet se SPAK është ajka e kësaj reforme dhe të gjithë i kanë sytë aty. Për gati 30 vite në Shqipëri, është vjedhur dhe abuzuar, por askujt nuk i ka hyrë gjembi në këmbë.
Por një epokë e re do të nisë në drejtësinë shqiptare. Vetëm një ditë më parë Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka njoftuar se të hënën e 25 nëntorit do të miratohen 8 prokurorët të cilët do të hetojnë çështjet më të nxehta në vend. Përpos rendit të ditës, KLP shkruan se prokurorët e parë të SPAK do të jenë Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami (Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai, Klodian Braho. Po në mbledhjen e së hënës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të shpallë garën për kryeprokurorin e SPAK-ut. Pra duket se nga java tjetër do nisë një epokë e re në shfarosjen e korrupsioni. SPAK do jetë në patronazhin e ndërkombëtarëve dhe ka të drejtë të hetojë që nga presidenti e kryeministri, deri te deputetët e thjeshtë dhe anëtarët e KLGJ, KLP apo institucioneve të tjera të drejtësisë.
Shpresat e politikanëve ishin që SPAK të mos ngrihej kurrë, por duket se tani shpresat e tyre janë venitur. Nga e hëna 8 emrat e mësipërm do marrin në dorë dosjet e para dhe të rrezikuar janë të gjithë. Por sigurisht të parët që do të kalojnë në filtër janë ata me dosje. Mes emrave kryesorë është ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili është nën hetim për 4 vepra penale. Nga ana tjetër pritet që me ngritjen e SPAK të gjurmohen dhe paratë e fshira jashtë vendit.
Paratë e nxjerra jashtë vendit
SPAK do të ketë një zyrë vetëm për bashkëpunimin me ndërkombëtarët, me qëllim gjetjen e parave të pista. Duke ndjekur modelin e Kroacisë, ku falë bashkëpunimit me FBI, DEA apo Interpol, do të gjurmojnë llogaritë bankare të gjithë personave të dyshuar. Ndërsa pyetja është sa është vlera e parave të fshehura jashtë vendit, ose shifra zyrtare e deklaruar? Sipas një raporti të “Global Financial Integrity” nga Shqipëria vitet e fundit kanë dalë rreth 1.5 miliardë dollarë, para të vëna nga korrupsioni, krimi dhe droga.
Bëhet fjalë për një shifër vërtet të lartë dhe shumica e parave kanë përfunduar kryesisht në Qipro, Zvicër, Maltë, apo dhe ishujt Kajman. Të dhënat bazohen edhe mbi raportet e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe raporteve ndërkombëtarë. Drejtoria në varësi të Ministrisë së Financave ka treguar se paratë dalin në mënyrë tokësore, ndërsa sipas një raporti të Byrosë së Sigurisë Diplomatike, pjesë e Departamenti Amerikan të Shtetit, fshihen kryesisht në Zvicër dhe vende si Malta. Ndërsa vetë DASH në raportet e tij thekson se një pjesë e madhe e parave të korrupsionit janë investuar në bregdet. Pra me nisjen e reformës, do nisë dhe gjurmimi i tyre.
Fshehja e pasurisë
Dosjet për dhjetra zyrtarë janë në prokurori. Mbi ta rëndon akuza për fshehje të pasurisë me vlera të mëdha. Gazeta ka bërë një bilanc të të gjithë kallëzimeve që ka bërë Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ku rezulton se gjatë 2 viteve të fundit ka pasur akuza për disa persona, por vetëm 10 prej tyre kanë fshehur rreth 12 milionë euro. ILDKP ka nxjerrë me detaje të gjithë pasurinë e tyre.
Nëse vërtetohet se ata e kanë vënë atë me para jo të pastra, atëherë rrezikojnë që t’u sekuestrohet. Por duke qenë se ka dhe dhjetra zyrtarë të tjerë të kallëzuar kjo shifër është më e lartë. Pra 1 miliard euro janë vjedhur me tenderat, 1.5 miliardë dollarë kanë dalë jashtë vendit dhe mbi 12 milionë euro janë fshehur, në total i bie rreth 3 miliardë euro, duke futur dhe vitet e mëparshme. Para këto të vëna nga korrupsioni dhe puna e pandershme. /Ornela Çelpica