Cila është pika më e fortë e Lulzim Bashës në performancën e tij politikëbërse si opozitar? I ardhur nga pushteti, nga pozitat vendimarrëse, si një rast atipik ku nisja e një karriere politike nuk është nga pozicion opozitar, ç’prej 5 vitesh Bashës i është dashur rithemelimi i një profili në kushte të reja. Në rrethana pushteti, ai nuk ka mundur dot të lërë gjurmë të pashlyeshme standartesh prej shtetari.
Dhe tashmë në kushte opozite, arma më e fortë për t’u bërë i tillë është fjala, ligjërimi.
Por dhe ky, pos që ka valencë të madhe berishizmi– akuza dhe vetëm akuza – ka po ashtu një patetizëm që më së paku është jashtë kohe dhe si pasojë vështirë se ngjit. Është mu ajo që ndodh me shumë kisha në Perëndim që sa vijnë e boshatisen, edhe pse prifti është aty dhe flet. Porse ligjërimi i tij, më shumë qiellor sesa tokësor, fund e krye patetizëm, nuk arrin ta bëjë për vetë grigjën. Tek kjo e fundit, njeriu me raso duket thjesht si aktor.
Ja frazat e nxjerra nga klerikalizmi politik i Bashës në ligjërim, në seancën e së enjtes:
“Ajo që na lipset është një përqasje krejt e re, një përqasje europiane, një qeverisje europiane, një sjellje europiane…”
“Duhet të përqafojmë vlerat europiane. Pa përqafuar vlerat europianë, Europa do na largohet ditë pas dite. Ndaj, le të fillojmë ta kërkojnë Europën brenda vetes tonë.”
“Le të ndërtojmë së bashku një aleancë të madhe të vlerave europiane që janë në esencë vlera të shqiptarëve, të drejtësisë, të moralit të shëndoshë, të së vërtetës, të respektit për njëri-tjetrin, për ligjin, për Kushtetutën, për liritë themelore…të një raport të ri…”
Në këtë ditë kur retë e refuzimit kanë eklipsuar mendjet dhe shpirtërat tona, e ku kujtojmë se pas reve ka gjithmonë një rreze drite, një rreze shpresë…”
“Ta kuptojmë se ky është monenti kur ëndrra jonë europiane do jetë më e fortë se kurrë, për ta çarë, për ta davaritur renë e zezë…”
“Për të patur besim se po të jemi të gjithë bashkë…këto re të zeza do largohen, do davariten…”
Të tilla fraza janë tërësisht jashtë kontekstit të zhvillimeve politike, brenda dhe jashtë. Brenda sepse narrativa e sotme europianiste nuk ka më impaktin e viteve më parë, siç në ’90-ën, pasi dhe vetë Europa ishte atë kohë në nivel idolatrie te shqiptarët.
Jashtë gjithashtu sepse as Europa vetë nuk është më ajo e dikurshmja apo e pak viteve më parë. Çfarë ndodh tek ne, kur është në temë Europa, apo ndryshe çështjet e integrimit, është thjesht për konsum politik, si nga pushteti e si nga opozita.
Krizës e sotme ku ndodhet BE nuk i shkojnë fjalëmbajtje të tilla kaq patetike, aspak ngacmuese e motivuese, për të mos thënë të varfra e jashtë kohe në raport me një tjetër kontekst zhvillimesh ku ndodhet sot Shqipëria.
Basha e ka imperative të kurojë ligjërimin, nëse brenda vetes ka talente të përgjumura që kanë të bëjnë me aftësinë për t’i bërë njerëzit për vete me mesazhe më të prekshme e më afër realitetit të gjërave. Me këtë model ligjërues, grigja – elektorati – do i largohet akoma dhe më shumë, siç dhe është vërtetuar. /tesheshi.com/