Në kërkim për aksidentin tragjik në Maminas, ku humbën jetën dy persona, 23-vjeçarja Elena Avdillari dhe drejtuesi i taksisë ku ajo po udhëtonte, Bujar Agalliu, pas Fatjon Zhaborjes, është shpallur edhe pronari i “Benzit ML” i cili shkaktoi aksidentin, Dardan Gjeka, 24-vjeç, nga Shkodra. Ky i fundit dyshohet se ka qenë pasagjer në “Benz”.
Report Tv ka zbuluar se viktima dhe 24-vjeçari kanë pasur njohje me njëri-tjetrin. Sipas sistemit TIMS, ata kanë hyrë dhe dalë vazhdimisht nga Shqipëria në drejtim të Italisë në të njëjtat data. Kjo shton dyshimet se Elena Avdillari është shoqëruar nga Dardan Xheka në këto hyrje-dalje të konstatuara nga TIMS-i, përmes Portit të Durrësit dhe pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit. Në automjetin tip “Benz ML”, në vendin e pasagjerit janë gjetur gjurmë gjaku gjë që tregon se në automjet kanë qenë dy persona.
“Benz-i ML” me targa AA 060 SP u braktis në Maminas pas aksidentit ku humbën jetën 23-vjeçarja nënë e një fëmije dhe drejtuesi i automjetit taksi. Për aksidentin tragjik janë shpallur në kërkim 32-vjeçari Fatjon Zhaborja, nga Tropoja si dhe Dardan Gjeka, 24-vjeç.