Mbesa e Sali Berishës, Shpresa Breçani është konfirmuar në Këshillin Drejtues të Partisë Demokratike ditën e djeshme.
Përveçse të qënit mbesa e Berishës, Breçani njihet si ekspertja kontabël e kompanive të lidhura me organizatën kriminale “Sacra Corona Unita”.
Në vitin 2010, Gazeta Shqiptare do të publikonte dokumentet që provonin se Shpresa Breçani ka shërbyer si eksperte kontabël në një nga kompanitë e mëdha të basteve të hapura në Shqipëri nga Albino Prudentino, një prej drejtuesve kryesorë të organizatës kriminale mafioze “Sacra Corona Unita”.
Prudentino jetonte në Shqipëri prej kohësh dhe kishte themeluar tre kompani në fushën e basteve dhe kazinove, por u arrestua në Vlorë për llogari të drejtësisë italiane.
Vajza e motrës së Berishës, ka punuar edhe si eksperte kontabël e dy kompanive të biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, të cilin ish kryeministri, e ka konsideruar mik të ngushtë familjar.
Emri i Shpresa Breçanit, shfaqet edhe si audituese e pasqyrave financiare të ndërmarrjes “MEICO”, e përfshirë në tregtinë e armëve në Gërdec.