Gjatë një bashkëbisedimi me studentët e universitetit të Prishtinës, kryeministri Rama thotë se nuk e kishte menduar kurrë se do të vishte kostumin e politikanit.
Rama thotë se kur është përfshirë në politikë, kishte vath në vesh, flokë të gjata dhe dhëmbët origjinale.
“Ju dhe njerëzit në përgjithësi mendojnë se politikanët nuk besojnë në atë që bëjnë. Unë dua t’ju them se e para, unë nuk do isha marrë me politikë sikur të kisha lindur në Francë apo Gjermani dhe as do isha marrë në Shqipëri sikur të mos kishte qenë historia e ndërthurur me historinë e jetës time që më përfshiu dhe nuk e mendoja që do vishja kostum.
Kur unë jam përfshirë me politikën, kam pasur vath në vesh, dhëmbët origjinale, pasi këto që kam nuk janë origjinale, kam pasur flokë më shumë nga të gjithë ju këtu. Unë nuk mund t’i zgjas dot flokët tani. Por, unë nuk bëj asgjë që nuk e besoj dhe nëse nuk e besoj, nuk kam kapacitet ta ndjek apo ta bëj. I rashë gjatë për të thënë se besoj 100% që rruga e vetme për ta dalë nga inercia e riprodhimit të historisë dhe për të prodhuar mirëqënie është Ballkani i Hapur për ne”, tha Rama.