Një prej kërcënimeve kryesore të medias në Shqipëri është pronësia e tyre nga një grusht njerëzish të fuqishëm me interesa të mikluara me pushtetin dhe vendimmarrjen.
Në këtë përfundim ka mbërritur një grup ekspertësh të Këshillit të Europës që vizituan Shqipërinë në një mision faktmbledhës dyditor.
Një nga shqetësimet kryesore është kapja e mediave nga biznesmenë të fuqishëm që përdorin platformat e tyre për të fituar favor për bizneset e tyre të tjera.
“Këta pronarë të mediave, shumë prej të cilëve kanë pronësi të kryqëzuara në industritë kryesore të rregulluara nga shteti, të varura nga tenderët publikë, përdorin sistematikisht asetet e tyre mediatike për t’u shërbyer agjendave të tyre private, ose politike në vend të interesit publik’’, thuhet në deklaratë.
Kjo situatë, sipas KiE ka shkaktuar një vetëcensurë kronike dhe mungesë raportimi cilësor investigativ dhe të pavarur nga ana e gazetarëve.
Raporti thekson se Shqipëria vazhdon të përjetojë një përkeqësim të lirisë së medias. Ndërsa kuadri ligjor në përgjithësi mbetet adekuat, nuk është bërë asnjë përparim në vitet e fundit në përmirësimin e mjedisit për gazetarinë e pavarur dhe mbikëqyrëse ose pluralizmin e medias.
Mes pak vlerësimeve pozitive të ekspertëve është tërheqja e qeverisë nga paketa antishpifje.