Procesi i Këshillimit Kombëtar ka një kosto prej afro 300 mijë euro. Janë zhvilluar dy tendera nga Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje. Tenderi i parë është mbajtur më 27 janar dhe fituese ka dalë kompania Albamedia” sh.p.k. me ofertë ekonomike me vlerë 23.114.000.
Fondi limit ishte 24,200,000. Objekti i tenderit ishte “Blerje Zarfa A4, Zarfa A5/B5, Etiketa Adezive dhe printim të pyetësorit dhe letrës shoqëruese”. Ndërkohë një tjetër tender i hapur është për promovimin e nismës. Është po Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje që ka hapur tenderin: “Blerje dhe printime të materialeve promocionale për Këshillin Kombëtar”, me fond limit
3,905,561 lekë pa TVSH. Nëse fusim dhe vlerën e TVSH duket se të dyja tenderat shkojë rreth 300 mijë euro. Por ky tender ka sjellë kundërshti nga operatorët e interesuar. Së fundmi në Komisionin e Prokurimit Publik mbërriti një ankesë nga një prej operatorëve për një prej procedurave që lidhen me materialet promocionale të Këshillimit Kombëtar.
Në parashtrimin e një sërë çështjeve Komisioni i Prokurimit Publik, ka gjykuar, se autoritetet kontraktore në hartimin e specifikimeve teknike, krahas përshkrimit të saktë të nevojave të këtij të fundit, duhet të kenë në vëmendje faktin, se hartimi i specifikimeve teknike duhet bërë në një mënyrë gjithëpërfshirëse duke krijuar kushte për konkurrim të paanshëm e të hapur ndërmjet të gjithë kandidatëve e ofertuesve, duke përshkruar sa më saktë dhe në mënyrë të plotë karakteristikat e mallrave/shërbimeve/punëve dhe në përputhshmëri me objektin e kontratës. “Komisioni i Prokurimit Publik njëzëri,
Vendos 1. Të pranojë pjesërisht ankesën e operatorit ekonomik “Albdesign PSP” SHPK për procedurën e prokurimit “Procedurë e hapur, e thjeshtuar”, me Nr. REF-18441-02-02- 2022, me objekt “Blerje dhe printime të materialeve promocionale për Këshillin Kombëtar”, me fond limit 3,905,561 lekë pa TVSH, parashikuar për t’u zhvilluar në datën 03.02.2022 nga autoriteti kontraktor, Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje.
2. Autoriteti kontraktor të kryejë modifikimet përkatëse të dokumenteve të tenderit në SPE, sipas konstatimeve të mësipërme të Komisionit të Prokurimit Publik.
3. Autoriteti kontraktor, brenda 5 ditëve, të vërë në dijeni Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendim” thuhet në vendimin e KPP.