Fatmir Xhafaj i ka kujtuar sot Enkelejd Alibeajt kohën e 8 viteve më parë kur drejtonte Ministrinë e Drejtësisë. Asokohe Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë, të urdhëruar nga Alibeaj, hynë me forcë në ambientet e Prokurorisë së Tiranës, për të rrëmbyer dhe shkatërruar dosjen e Damir Fazlliç.
Si ndodhi ngjarja:
Ministria e Drejtësisë, nën drejtimin e Enkelejd Alibeajt, pesë vjet më parë, tentoi të hynte me forcë në ambientet e Prokurorisë së Tiranës, për të rrëmbyer dhe shkatërruar dosjen e Damir Fazlliç. Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë, të urdhëruar nga Alibeaj dhe familja Berisha, tentuan të hynin forcërisht në Prokurorinë e kryeqytetit, ndërsa shumë njerëz të pushtetit rrethuan organin e akuzës. I gjithë shteti u rreshtua kundër prokurorisë dhe në mbrojtje të Fazlliçit. Kryeinspektori i Ministrisë së Drejtësisë, Plator Bilibashi qëndronte tek porta hyrëse jashtë oborrit të institucionit duke mbajtur në duar urdhrin e ministrit të Drejtësisë, Alibeaj, me të cilin kërkohej kontrolli i dosjes së Damir Fazlliç dhe ballafaqimi i saj me regjistrin penal ku shënohen të dhënat (kodet) e çdo dosje penale dhe data e nisjes së procedimit.
Ndërkaq, punonjësit e policisë që kujdeseshin që askush të mos kalonte portën, kishin hequr spaletat e gradave dhe pjesën e uniformës ku shënohet mbiemri i çdo efektivi, me qëllim që të mos identifikoheshin. Situata i ngjante rasteve të jashtëzakonshme kur numri i efektivave të policisë rritet, ndërsa hyrje-daljeve u kushtohet një vëmendje maksimale deri në detaje. Skandali alarmoi ambasadën amerikane. Këtë e dëshmuan kabllogramet e zbardhura nga Uikiliks. Emri biznesmenit Damir Fazlliç përmendet në të paktën 14 kabllograme të ambasadës amerikane, përfshi tentativat e kryeministrit Berisha për ta shpëtuar boshnjakun nga hetimet e Prokurorisë.
Problematika trajtohej në kabllogramin e datës 14 Tetor 2008 me titull: “Berisha fillon sulmin e ri ndaj Prokurores së Përgjithshme”.
“Duke nisur nga data 10 Tetor dhe gjatë fundjavës, kryeministri dhe Ministria e Drejtësisë nisën një fushatë të re për të intimiduar dhe minuar punën e Prokurorisë së Përgjithshme me pretendimin se prokuroria ka thyer ligjin duke tentuar të marrë në pyetje biznesmenin boshnjak, Damir Fazlliç. Ministria e Drejtësisë tentoi të sekuestrojë dosjen hetimore për Fazlliç dhe më pas po kjo ministri kërcënoi se do të ngrinte akuza për prokurorët në hetimin e Fazlliç. Por zoti Berisha, në një konferencë shtypi mohoi kategorikisht se ka tendencë për të ndërhyrë në punën e Prokurorisë së Përgjithshme”, thuhej në kabllogram.