Këngëtari grek Nikos Vertis ka zbuluar në Tiranë origjinën e tij arvanitase. Një ditë përpara mbajtjes së koncertit në Tiranë, ai u prit nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Ishte ky i fundit që zbuloi edhe marrëdhënien e veçantë të këngëtarit me Shqipërinë.
“Jam shumë i lumtur që Nikos Vertis është më në fund në Tiranë! Ajo që nuk dini është se emri i artit i këngëtarit është Nikos Vertis, por emrin e vërtetë e ka Nikos Arvanitidis.
Për të gjithë arvanitasit, por edhe për ata që njohin historinë e shqiptarëve të Greqisë dhe raportet tona, mbiemri yt është një kujtesë që ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa gjëra që na ndajnë. Edhe me gjithë ‘cic-micet’ e politikës, arti, muzika dhe bashkëjetesa e kombeve tona janë gjëja më e rëndësishme”.
Ndërsa këngëtari i hiteve greke i cili viziton për herë të parë Tiranën, ndau impresionet për kryeqytetin shqiptar.
“Është dita e parë, por ju e dini që përshtypja është e mrekullueshme, kryebashkiaku juaj është një person që mund ta ndryshojë qytetin. Mesa shoh, ju jeni shumë me fat që keni këtë kryebashkiak, që ka një vizion për të rinjtë dhe zhvillimin e qytetit. Herën tjetër që do të vijmë këtu, ky qytet do të jetë një surprizë e madhe për ne”.
Me një seri këngësh të suksesshme, Nikos Vertis është mjaft i njohur edhe në vendin tonë.