Nga Mero Baze
Dëgjova një prej aktorëve para Teatrit, duke fyer një prej aktorëve të rinj të talentuar, ardhur nga Greqia, Laert Vasilin, me një fjalor racist.
Fjala e përdorur për fyerje ishte ekstreme, duke e quajtur “lëtyrë”, dhe arsyeja ishte pse ky i fundit, si dhe shumë aktorë të tjerë, janë pro një ndërtese të re Teatri, kurse fyesi është i vendosur për të kundërtën.
Të hysh në banalitetin e këtij debati tani është shumë vonë, se është ulur këmbëkryq politika, dhe banalitetin po e udhëheq seksioni i PD-së në Teatër.
Dhe kur një betejë është politike, dhe bilanci i saj do imitojë bilancin e betejave politike.
Ajo që desha të theksoj, është egërsia e aktorëve ndaj njëri- tjetrit.
Në një trupë teatri, ku një aktor fyen tjetrin publikisht kaq rëndë, për shërbime politike, kazmën e parë mbi atë teatër nuk e ka vënë as Rama, as Veliaj, dhe as ndërtuesi, por vetë mentaliteti i këtyre aktorëve politikë.
Dhe kjo është një kazmë e vërtetë mbi Teatrin.
Nuk është si fadromat që mund të prishin një ndërtesë dhe të bëjnë diçka më të bukur dhe më moderne, por është si dikush që të prish skenën, të thyen mikrofonin dhe të fik dritat, edhe pse e ke ndërtesën në rregull.
Ky gjest është kazma reale mbi Teatrin, pasi ai prish thelbin e Teatrit, që është harmonia mes aktorëve dhe të konsideruarit e tyre, një trupë artistike.
Sot dhe sikur ta prishësh Teatrin, dhe sikur të bësh të riun, dhe sikur t’i çosh këta aktorë të luajnë në “Scala” apo “Balshoi”, këta nuk janë më një trup.
Nuk janë më një Teatër, jo më kombëtar, por as eksperimental.
Këta janë së paku dy trupa teatri, njëra prej të cilave kërkon doemos që këto kohë të aktrojë politikisht.
Dhe kjo është më e rëndë se prishja e një ndërtese.
Kjo tregon që përveç ndërtesës, nuk kemi pasur as teatër, por vetëm aktorë, me suflerë politikë.