Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka reaguar pas publikimi të faturave të luksit që kanë shkaktuar ‘tërmet’ në rrjetet sociale. Në një status në rrjetet sociale, Gjonaj shkruan se nuk janë paguar 700 euro për fjetjen e një nate në hotelin në Itali, ashtu siç është shkruar në media, por për dy net.
Më tej, ministrja e Drejtësisë shton se shpenzimet e pasqyruara në faturat që 24 orët e fundit kanë bërë xhiron e të gjitha mediave, janë për të gjithë delegacionin që merrte pjesë në aktivitetet zyrtare.
Gjonaj thekson më tej se në shumicën e rasteve hotelet, për shkak të sigurisë për të gjitha delegacionet përcaktohen nga organizatorët apo ftuesit, në varësi edhe të periudhës së kërkuar që mund të përkojë me një fluks të pronotimeve në ato vende apo për shkak të kohës së shkurtër në të cilën kanë ardhur ftesat apo axhendës së diktuar nga pala pritëse.
Në reagimin e ministres shkruhet gjithashtu se ajo ka udhëtuar gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit edhe me tren si një qytetare e zakonshme për të arritur në kohë dhe me më pak kosto për vizitat e punës. Gjithashtu Gjonaj shprehet se si ministre ka kryer vizitat zyrtare brenda të njëjtës ditë duke shpenzuar 0 lek për hotelin, apo raste të tjera ku shpenzimet mbulohen nga organizatorët e huaj.
Në fund ajo shton se ka nisur një proces verifikimi dhe auditimi të brendshëm për të gjitha procedurat e kryera nga stafi i Ministrisë së drejtësisë nga i cili rezultoi se çdo procedurë është në zbatim të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi.
Reagimi i Etilda Gjonajt
E ndjej për detyrë që të bëj një sqarim publik rreth atyre çfarë janë dhënë nga disa media për mua këto 24 orët e fundit.
Më lejoni që në këtë reagim publik timin, të shpreh para së gjithash se personalisht unë dhe stafi i Ministrisë së Drejtësisë, kemi qenë tejet transparent në respekt të të drejtës së medias për t’i ofruar informacionin e kërkuar, ashtu siç është trajtuar çdo kërkesë e çdo qytetari në respekt të transparencës për çdo veprim financiar të Ministrisë së Drejtësisë.
E deklaroj me përgjegjësi të plotë, ligjore dhe morale, se në funksionin tim nga dita e parë e punës dhe deri më sot, personalisht kam vepruar në çdo rast konform ligjit dhe në respekt të plotë të tij. Ftoj cilëndo media dhe gazetar që të investigojë gjithë punën time në funksionin e Ministres së Drejtësisë, përfshi dhe menaxhimin e burimeve financiare duke i garantuar që ashtu siç i kam vënë në dispozicion, do të vazhdoj t’i ofroj me maksimumin e transparencës çdo informacion konform ligjit.
Besoj se më të njëjtën transparencë që Ministria e Drejtësisë ka vepruar duke i ofruar të dhënat e kërkuara, të njëjtën transparencë dhe profesionalizëm do të duhej të kishte dëshmuar edhe media për të kryer verifikimet e duhura dhe për t’i paraqitur ato me vërtetësi jashtë interpretimeve dashakeqe dhe spekulative.
Nëse media do të verifikonte dhe do të kërkonte shpjegim, do të arrinte të kuptonte që fatura me shumën e hotelit në Itali nuk është vetëm për 1 natë siç është përcjellë në mënyrë spekulative, por është fjetje për dy net. Për të shtuar, që faturat e publikuara nuk përmbajnë vetëm shpenzimet e mia, por përmbajnë shpenzimet e të gjithë delegacionit që merrte pjesë në këto aktivitete, ku në shumicën e rasteve hotelet për shkak të sigurisë për të gjitha delegacionet përcaktohen nga organizatorët apo ftuesit, që shpenzimet e fjetjes apo të biletave në shumë raste janë në varësi edhe të periudhës së kërkuar që mund të përkojë me një fluks të pronotimeve në ato vende apo për shkak të kohës së shkurtër në të cilën kanë ardhur ftesat apo axhendës së diktuar nga pala pritëse.
Nëse media do të verifikonte, do të konstatonte që si ministre gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit kam udhëtuar edhe me tren si një qytetare e zakonshme për të arritur në kohë dhe më me pak kosto për vizitat e punës.