Mbrëmjen e së enjtes, në një klub në Embrach, Policia Kantonale e Zyrihut ka arrestuar pesë punëtore ilegale si dhe punëdhënësin e tyre.
Rreth orës 22.00 të së enjtes, oficerët e Policisë Kantonale të Zyrihut, të përkrahur nga Policia e Qytetit në Bulach, kanë realizuar një kontroll në klub.
Me këtë rast, ata kanë gjetur pesë punëtore ilegale që kanë punuar si zonja argëtimi, thuhet në një njoftim të policisë, përcjell Albinfo.ch. Bëhet fjalë për katër shqiptare dhe një kroate të moshës prej 26 deri 37-vjeçare, të cilat nuk kanë pasur leje përkatëse të punës.
Menaxhuesi i klubit, një kosovar 56-vjeçar me leje qëndrimi të Zvicrës, gjithashtu është arrestuar. Ndaj tij do të ngritet kallëzim penal për punësim të të huajve pa leje pune.
Të gjithë të arrestuarit do të duhet të përgjigjen para Prokurorisë në Winterthur/Unterland. Në kuadër të procedimit penal, pesë shtetaset e huaja do t`i dorëzohen Entit të migrimit për verifikimin e masave policore për të huajt.