Ilir Yzeiri
Protesta e opozitës po degjeneron nga dita në ditë në një dhunë absurde, pa kuptim dhe pa asnjë ide. Lulëzim Basha, politikani më mediokër dhe më i paaftë që ka pasur PD-ja, pas Tritan Shehut, ka nisur një ofensivë të rrugaçërore ndaj forcave të rendit dhe objekteve shtetërorë që jo vetëm të neverit, por të bën të ndjehesh keq si shqiptar dhe të kesh turp të tregosh se cili je nëse, rastësisht, je jashtë vendit dhe dikush të pyet se çfarë ndodh te ne.
Aktualisht, duket se janë shteruar të gjitha llojet e analizës dhe komenteve për të shpjeguar aksionin idiot të Lulit e Monës nën frymëzimin e Berishës për t’u mbledhur një herë në javë në Tiranë e për të qëlluar me mjete zjarri, kapsolla e molotov mbi policët dhe godinat qeveritare. Nuk ka asnjë specialist të politikës në botë, nuk ka asnjë specialist të tranzicionit apo të fenomenologjisë së luftës politike në vendet ish-komuniste, që mund ta shpjegojë, ta interpretojë apo t’i japë një kuptim akionit politik të Lulit, Monës dhe frymëzuesit të lodhur e të plakur Berisha.
Të rrethuar me injorim, me shpërfillje dhe me neveri nga SHBA, BE dhe pjesa më e shëndoshë e opinionit publik, opozita, jo vetëm që nuk kupton se po shkon drej vetasgjësimit, por po bën të kundërtën, po marshon me ngazëllim dhe me triumf e me patetizëm dhe me retorikë luftarake drejt katastrofës së saj. Opozita e sotme është kthyer në një repart ushtarak të çorganizuar që nuk ka asnjë objektiv të qartë.
Përveç urrejtjes ndaj njeriut që i ka sfiduar me meritë dhe që quhet Edi Rama, opozita nuk ka asnjë ide tjetër. Të humbur, pa shpresë, pa alternativë, me një grumbull njerëzish që vjellin nga mëngjesi në darkë vetëm një tekst që përbëhet nga dhjetë dymbëdhjetë fjalë, ligjërim i i saj ngjan me një shirit magnetofoni të çjerrë që ka mbetur hapur në një shtëpi gërmadhë ku nuk hyn dot askush.
Mirëpo përse u krijua gjithë kjo tragjikomedi?
Nëse u përmbahemi ngjarjeve, dhe nëse kthehemi pas në kohë, do të na duhet të shënojmë që në vitin 2013, Berisha i humbi zgjedhjet dhe e pranoi publikisht humbjen. Ai dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet në PD dhe mbeti vetëm deputet. Nëse ai do të kishte ndjekur shembullin e Fatos Nanos, nga ai moment ai duhet të ishte larguar tërësisht nga jeta politike dhe t’u kishte hapur rrugën të rinjve, siç bëri me dinjitet Fatos Nano, sepse në demokraci politika është garë jo luftë.
Nga ky moment PD-ja do të kishte hyrë në rrjedhën e zhvillimit të partive perëndimore dhe politika shqiptare do të kishte një pamje tjetër. Mirëpo, Berisha, jo vetëm që nuk u largua, por u bë më agresiv pasi u mund. Katërvjeçarin e parë e çmendi të gjithë këtë vend me fjalimet e ditës së enjte. Ndërsa tani ka ideuar aksionin e shkatërrimit të PD-së dhe e ndjek atë më keq se një militant. Nuk e di nëse ka apo jo ndonjë shembull të tillë në botë ?!
Tani le të vijmë te dhuna në protestat e opozitës. Si çdo gjë qesharake që prodhon Lulëzim Basha, (kujtoni himnin e kënduar prej tij apo lutjen për një minutë heshtje tani në fund), edhe akuza e tij se policia po ushtron dhunë mbi protestuesit, është jo vetëm qesharake, por banale.
Policia e Shtetit me Ardi Veliun dhe Ministria e Brendshme me Sandër LLeshajn po shfaqin një vetëpërmabjatje e profesionalizën që i kalon kufijtë e normales. Që Lulëzim Basha, por edhe të tjerët ta kuptojnë se si sillet policia me protestuesit e dhunshëm, le të lexojnë njoftimet për të plagosurit në protestat e jelekverdhëve në Francë. Klikoni në adresën e mëposhtme:
(https://www.google.com/search?client=firefox-b-d&q=les+mutile+de+jilet+jaune).
Janë me dhjetëra protestues që kanë humbur syrin, që janë plagosur sepse policia ka përdorur granada dhe plumba për shpërndarjen e protestuesve ose ato që quhen le “lanceur de balles de défense” LBD 40 et la grenade à effet de souffle GLI-F4. » Pra plumba mbrojtës dhe granada tymuese GLI-F4. Dhe janë me qindra të plagosur dhe me dhjetëra që kanë mbetura përjetë sakatë ose pas sy ose pa një dorë. Dhe kjo ka ndodhur në mes të Francës dhe në mes të Parisit. Pse? Sepse policia nuk mund të qëllohet dhe nuk mund të preket. Ata që qëllojnë kundër saj duhet të presin reagimin.
Mirëpo Lulzim Basha dhe, për fat të keq, shumë studio televizive ngatërrojnë policinë me Edi Ramën. Ata kujtojnë se duke nxitur protestuesit pa ide të Lulit e Monës që të qëllojnë mbi policinë dhe muret e qeverisë, lëngëzojnë nga emocionet se u duket se ashtu po qëllojnë mbi Edi Ramën. Në fakt, ashtu po qëllojnë mbi ne të gjithë, sepse policia e shtetit është trupi i atdheut, janë njerëzit e paguar me taksat tona që të na sigurojnë rendin e qetësinë. Paradoksi më i madh është se nëse në Francë të plagosurit janë protestuesit e dhunshëm, në Shqipëri janë policët.
Ndërsa një e vërtetë tjetër që Luli e Mona duhet ta mbajnë mend mirë është se « jelekverdhët » ndezën gjithë Francën për tre muaj rresht dhe në thelb kishin të drejtë. Në fillim kishin rreth 30% të konsensusit të francezëve, ndërsa, në fund, kur iu kërkuan francezëve votën për t’u përfaqësuar në Parlamentin Europian ata u votuan vetëm 1%. Sepse dhuna dhe e drejta të çojnë në humnerë.