Injorimi, refuzimi dhe vendosmëria stoike që grupi i drejtuar nga deputeti i Partisë Demorkatike, Enkelejd Alibeaj i bëri “Foltores” së udhëhequr nga ish-kryeministri Sali Berisha, duket se ka xhindosur këtë të fundit. Pas gati 3 javësh tentativa për bashkimin e dy fraksioneve të PD nga të mandatuarit Gazment Bardhi dhe Edi Paloka, dje nga selia blu “ka dalë tym i zi”, për shkak se të dyja palët janë rikthyer në pikën zero.
Dy gjysmat e Partisë Demokratike kanë mbetur të tillë, ndërsa drejtuesit e saj kanë paralajmëruar futjen të ndarë në zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2023 më vetë, pra me kandidatë respektivë. Por ky vendimi i Alibeajt, duket se ka ndezur “luftën” dhe gjakrat. Kreu i “Foltores” Sali Berisha ka mbledhur dje urgjentisht krerët e degëve të Tiranës, ndërsa ka kërcënuar grupin e Alibeajt.
Në një deklaratë për mediat e mbledhura para selisë së Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi deklaratën e Enkelejd Alibeajt dhe mbështetësve të tij, se nuk do të kishte asnjë marrëveshje për zgjedhjet lokale të 14 majit, teksa theksoi se nuk dihet se sa persona kanë marrë vendimin, megjithatë shtoi se e kishin të qartë vijën e kuqe, se nuk do të prekej as Statuti dhe as Primaret,m duke lënë të nënkuptohet se i frikësohet vendimit të gjykatës më 3 nëntor. “Statusi i 11 dhjetorit është Kushtetuta e PD ë rithemeluar.
Statuti është jashtë çdo lloj imagjinate, kompetence për t’u shkelmuar. Është dokumenti bazë i PD në momentet kur ishte në momentin “To be, or not to be”. Është ky statut që përbën themelin e fitores në zgjedhjet e 14 majit por para saj leksioneve historike që do marrë klika e Edi Ramës. Ose çeta e hajdutëve. Opozita nuk pengohet nga asgjë për të firmos fitoren në këto zgjedhjet. Janë një grup deputetësh.
U ftuan dhe erdhën pa asnjë lloj paragjykimi dhe prapamendimi që të bashkohen dhe të garonin për çdo post në këto bashki. Të paraqesin kandidatura. Ose të krijonin fraksionin. Ata, sesa janë nuk e di, nuk e duan as statutin, as primaret. Ai që prej flamurin e PD i ka bërë hesapet shumë keq. Do ta shihni ditët e ardhshme. Nuk i preket flamuri PD-së”, deklaroi ai.
Berisha Rama e ka mbushur kupën dhe duhet të qërohet
Pas deklaratës për mediat, Berisha iu drejtua zyrës ku e prisnin krerët e degëve të Tiranë, ndërsa kreu i “Foltores”, ka dhënë porositë për protestën e 12 nëntorit që është paralajmëruar nga opozita. Prerë dhe qartë Berisha theksoi se të gjithë duhet të dalin në shesh më 12 nëntor për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. “Po ju siguroj që këtë betejë do ta fitojmë, kemi kauzat tona, të çdo qytetari shqiptar, demokrat, socialist apo çfarëdo qoftë ai. Përveç grupit të hajdutëve në Rinas.
Ata janë aty për tu marrë një nga një dhe për tu çuar aty ku e kanë vendin, bashkë me Ramën. Ndaj në këtë kohë që kemi deri më datë 12 nëntor, duhet të bëjmë punën më intensive. Tirana duhet të jetë në rrugë me të madh e me të vogël. Po vjen Janari, biznesit të vogël u shtohet taksa 23%, t’ia mbathin dhe ata nga Shqipëria, çfarë do bëjnë ata këtu?
Ata janë njerëz që jetojnë me vështirësi, por që krijojnë me qindra e mijëra shërbime, shqiptarët e presin nga ne sakrificën. Ai e ka mbushur kupën dhe duhet të qërohet, nuk ka kryeministër që të qëndrojë në karrige kurdalin super skandale në media”, nënvizoi Berisha.
Paloka tregon detaje nga negociatat
Nga ana tjetër, dje kreu Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka zbuloi se tërheqja e Enkelejd Alibeajt ka treguar se qëllimi i grupit të tyre ka qenë shkrirja e strukturave të Partisë Demokratike. Në një deklaratë për gazetarët, pas ‘prishjes’ së negociatave me Alibeajn, Paloka theksoi se statuti i 11 dhjetorit dhe Primaret ishin të palëvizshme që në momentin e nisjes së bisedimeve mes dy palëve.
“Në asnjë moment qëllimi i tyre nuk ka qenë bashkëpunimi, mesa duket qëllimi i kësaj farse ka qenë zhbërja e statutit të Partisë Demokratike. Këtë mendim arrij të nxjerr. Gjatë gjithë kohës, unë i kam ofruar të gjitha lehtësirat e mundshme. E vetmja gjë për të cilat ne nuk kemi hyrë në diskutime ka qenë statuti. Siç e lexuat vetë deklaratën e tyre, çfarë kërkohej? Kërkohej eliminimi i të gjithë strukturave të Partisë Demokratike, i ngritur nga një vit jo i lehtë, kërkohej eliminimi i strukturës, theksohej që të kishte një strukturë jashtë këtyre, që të merrte vendime me votë unanime.
Kjo gjë do të thotë që nëse njëri prej tyre thotë ‘jo’, bllokohet gjithë procesi. Kjo gjë bëhet në momentin kur ti pa nisur ende dialogun, kërkon të bllokosh një proces. Presupozohet që ke hyrë me vullnetin tuaj. Sigurisht që kërkova të ndryshohej, dje bisedova me Bardhin dhe i kam kërkuar pikërisht këto gjëra që po ju them ju. Nëse nuk duam të bashkëpunojmë, nuk kemi pse diskutojmë fare”, deklaroi Paloka.