Nga Adriatik Doçi
Jo të gjithë kandidatët në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022, për drejtimin e gjashtë bashkive, kanë të shkuar të pastër.
Kandidati i Partisë Demokratike për drejtimin e Bashkisë së Rrogozhinës, Ferdinand Saraçi, është dënuar në Itali në 18 janar të vitit 1999, me 4 muaj burg dhe 100 mijë lireta gjobë, për veprën penale të mbajtjes së armës pa leje në banesë.
Referuar formularit të dekriminalizimit, kandidati i PD-së ka ndryshuar edhe emrin nga Fredi në Ferdinand. Ai thotë se ka qëndruar Itali për biznes dhe punë gjatë periudhës 1996-2001.
Bardh Spahia, kandidati i koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’ për Bashkinë e Shkodrës, deklaron se është proceduar në korrik të vitit 2020 nga Prokuroria e Shkodrës, për veprën penale të mosbindjes ndaj urdhrit të policisë në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike si dhe për shkatërrim prone me zjarr.
Kandidati i koalicionit të Sali Berishës dhe Ilir Metës thotë se ndaj tij janë marrë masat ‘arrest shtëpie’ dhe ‘detyrim paraqitje’, masa të cilat janë revokuar më pas.
Kandidati i aleancës Berisha-Meta për Lushnjen, Elton Bano, një herë deklaron se ka lindur në Lushnje, më pas se ka lindur në Prishtinë. Ndryshimi i vendlindjes është një rast i fort i rrallë.
Kandidati i Partisë Demokratike për Vorën, Ymer Marku, ka firmosur një formular të pastër për figurën, por në fakt Marku është marrë i pandehur në vitin 2010 për veprën penale të deklarimit të rremë të pasurisë, por që është shpallur i pafajshëm nga gjykata.
Ymer Marku, i cili rezulton edhe me emrin Imer, përpos të tjerave, akuzohej nga prokuroria edhe për derdhjen e dy shumave të 71 mijë eurove dhe rreth 45 mijë USD në një llogari që kishte hapur në një bankë të nivelit të dytë.
Sipas dosjes, Marku nuk i justifikonte këto para dhe as nuk i kishte deklaruar në ILDKP. Marku ka qenë kryetar i Komunës Berxullë për periudhën 2003-2015, dhe më pas nënkryetar i Bashkisë Vorë. Ndërkaq, kandidati i Lëvizjes së Re për Bashkinë e Durrësit, Jonid Nano, rezulton më parë me emrat Jani dhe Janiol. Kandidatët e tjerë nuk kanë bërë asnjë shënim të dyshimtë për të shkuarën e tyre.